Aktualitet Music

E trishtë! Shuhet nga jeta ylli i grupit “Girls Aloud”, Sarah Harding!

Një lajm i keq për të gjithë fansat e yllit të grupit “Girls Aloud”, Sarah Harding. Artistja 39-vjeçare ka ndërruar jetë dhe këtë lajm të trishtë e ka dhënë nëna e saj. Në gusht të vitit 2020, këngëtarja kishte njoftuar se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në fazë të avancuar, duke treguar se sëmundja ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Ndërkaq, e ëma e artistes së ndjerë ka shkruar në rrjetin e saj social Instagram zemërthyer këto fjalë:

Me zemër të thyer po shpërndaj lajmin se vajza ime e bukur Sarah ka ndërruar jetë. Shumë nga ju e dini për luftën e Sarah me kancerin dhe ajo ka luftuar fuqishëm që nga diagnostikimi deri në ditën e fundit. Ajo u largua qetësisht këtë mëngjes. Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen përgjatë vitit. Kishte shumë rendësi për Sarah dhe i ka dhënë shumë forcë dhe rehati kur e dinte se e donin. E di se ajo nuk do të dëshironte të mbahej mend për luftën ndaj kësaj sëmundje të tmerrshme. Ajo ishte një yll i ndritshëm dhe shpresoj që të mbahet mend si e tillë.

Rikujtojmë, se Sarah Nicole Harding ishte një këngëtare, modele dhe aktore angleze. Karriera e saj profesionale filloi në 2002 kur ajo provoi të ishte pjesë e serialit britanik që u transmetua në ITV, “Popstars: The Rivals”, gjatë së cilës Harding fitoi një vend në grupin e vajzave “Girls Aloud”.

Harding ka aktruar, duke u shfaqur edhe në “Bad Day”, filmin televiziv të “BBC Freefall”, “Run for Your Wife”, dhe “St. Trinian’s 2: The Legend of Fritton’s Gold”. Në fund të vitit 2012, ajo u ribashkua me “Girls Aloud” për të festuar përvjetorin e tyre të dhjetë. Në fillim të vitit 2013, ata njoftuan se ishin ndarë. Ajo gjithashtu fitoi “Celebrity Big Brother 20” në vitin 2017.