Film & Tv

E vërteta për fuqinë e Inteligjencës Artificiale në ‘Coded Bias’ – Don’t be afraid… be very very afraid.

Këtë javë në “Netflix”, zbuloni një dokumentar që të hap sytë se si ‘makineritë’ dhe pavarësia e tyre e të ‘mësuarit’ po përsërisin gjendjen aktuale të shoqërisë. Algoritmet e Inteligjencës Artificiale janë po aq seksiste, rraciste sa e tashmja jonë, diçka që vë në dyshim të ardhmen më të mirë që ato premtojnë.

Duke punuar në një detyrë për teknologjinë biometrike që shumë, gjithmonë e më shumë kompani po përdorin, kërkuesja e Laboratorit të Universitetit të M.I.T – Joy Boulamwini (afro-amerikane) zbuloi se një pjesë jo e vogël e tyre nuk e ‘njihnin’ fytyrën e saj. E siç tregon tek ‘Coded Bias’ këto programe janë ‘mësuar’ të mos njohin personat me fytyrë të errët – një problem që thuajse nuk ekgziston me personat me fytyrë të çelët.

Kur ti mendon për Inteligjencën Artificiale, ke parasysh një shprehje të avancuar të mënyrës të së menduarit, por IA është e fuqizuar nga të dhënat – dhe të dhënat janë reflektim i historisë sonë.

Nën regjinë e Shalimi Kantayya ‘Coded Bias’ eksploron se si algoritmet e kompjuterave të cilët sot përdoren jo vetëm në teknologjinë komerciale, por edhe në departamente HR në punësim, në struktura shtetërore e private, në programet e bankave të nivelit të dytë, në polici dhe shumë fusha të tjera, përsërisin pabarazinë rracore, klasore dhe gjinore të shoqërisë ku jetojmë.

Dokumentari është më shqetësuesi nga seria e të ngjashmeve për të vërtetat shqetësuese të IA, e të mendosh që ‘The Great Hack” dhe “The Social Dilemma” ishin mjaftueshëm sy-shqyes. ‘Coded Bias’ tregon në mënyrë direkte koston njerëzore që këto praktika po sjellin, tani, sot që flasim – duke na bërë të vrasim vërtet mendjen nëse automatizimi është rruga që duhet ndjekur në të ardhmen. Duke përdorur rrugëtimin e Boulamwinit prej kërkimit të saj deri në dëgjesën në kongresin amerikan, Kantayya thur bashkë një numër historish të mëdha e të vogla, amerikane dhe ndërkombëtare me detaje rrënqethëse që vërtetë të bëjnë të vrasësh mendjen. Një prej historivë më rrënqethëse është ajo e një mësuesi në Houston, i cili përpos arritjeve të mëdha gjatë karrierës së tij – nga programi vlerësues i IA dilte i pakualifikuar për të vazhduar punën e tij. Po aq tronditëse ishin rastet kur në Londër, një prej qyteteve me më shumë vëzhgim nga kamerat e sigurisë, përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës bëheshin gabime trashanike – kryesisht lidhur me racën.

Filmi lëvron mes lëmisë pragmatike dhe kritikës politike duke argumentuar që jo vetëm që ka probleme, por edhe sikur të ishte perfekt do të dëmtonte seriozisht liritë e njeriut. Njëri prej segmenteve merret me realitetin e pabesueshëm të Charlie Brooker tek ‘Black Mirror; që jetohet sot nga të gjithë banorët e Kinës Komuniste i quajtur ‘Vlera Shoqerore’. Kështu çdo banor i Kinës duhet të kalojë përmes skanimit të fytyrës qoftë për të blerë një shishe ujë në market dhe është një algoritëm që vlerëson dhe rendit njerëzit në bazë të veprimtarisë së tyre 24 orëshe duke ndaluar për shëmbull njerëz të udhetojnë me tren ose avion nëse janë poshtë në Renditje.

“Amerika Demokratike nuk është fort larg Kinës sidoqoftë”

Paralajmëron futuristja dhe autorja Amy Webb, një nga shtyllat e dokumentarit (ku shumica e folëseve janë gra, ndryshe nga dokumentarët e ngjashëm pararendës). Kështu në SHBA kompanitë e rrjeteve sociale, korporata të tjera dhe agjencitë e ruajtjes së rendit përgjojnë në të njëjtat mënyra shtetasit e tyre – thjesht nuk e pranojnë.

Fjali si këto kombinuar me muzikën dhe grafikat e frymëzuar nga ‘2001: A Space Odyssey’ e bëjnë ‘Coded Bias’ një nga dokumentarët për t’u ndjekur këtë fillim viti.

Fitorja më e madhe e tij është përqëndrimi tek njerëzit nga ku truri i Alexa-s, Siri-t apo çfarëdo algoritmi tjetër buron. Këto kompjutera frymëzuar nga historitë e fanta-shkencës njësoj si tek ‘Terminatori’ janë pasqyrë e jona, me të gjitha frikërat dhe parimet e atyre që i programojnë – ndaj kur fillojnë të ‘mendojnë me kokën e tyre’ nga ndihmë na kthehen në armiqtë më të mëdhenj!

Don’t be Afraid … Be very very Afraid!

Nëse nuk ndryshojmë të dhënat që u fusim këtyre kompjuterave të pavarur, ose nuk liberalizojmë krijuesit e tyre (shumica meshkuj, kaukazianë) nuk është e largët dita kur realitete distopike ti jetojmë për së gjalli.

‘Coded Bias’ 1 orë e 30 minuta është duke u stream-uar në “Netflix”.