Celebrities Music Showbiz

Edessa zbulon si lindi ideja e remix-it të “Ma leht pa dhimbje”!

Edessa është një producente dhe njëkohësisht Dj shumë e talentuar, e cila së fundmi ka sjellë një remix mjaft të veçantë të këngës “Ma leht’ pa dhimbje” nga grupi “Asgjë Sikur Dielli”. Ky projekt është votuar gjithashtu për të qenë pjesë e “The Top List”, Top Awards, ku për këtë javë renditet në vend të 42-të. Edessa ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” për të folur më shumë lidhur me këtë këngë.

Si e ka pritur publiku këtë projekt të ri?

Në fakt ka ecur goxha mirë. Kam marrë shumë komplimente nga të gjithë. E kanë pëlqyer shumë dhe jam e lumtur për këtë.

Pse zgjodhe pikërisht këtë këngë?

Para rreth 1 viti ishim në studio dhe po e këndonin çunat, kur tha njëri nga shokët e mi të ngushtë: ‘Sa bukur do të tingëllonte remix kjo’. Dhe thashë pse mos ta bëj. E falenderoj shumë atë.

A është një trend tashmë ky i ripunimit të këngëve të vjetra?

Mendoj që këngët e vjetra kanë nevojë të vijnë me një ‘vibe’ të ri. Në fakt unë gjithmonë kam qenë kundër këtij rikthimi, pasi këto kohët e fundit janë bërë pak si shumë. Por këtë herë e bëra dhe unë sepse është një këngë shumë e bukur. Nuk ka asgjë të keqe t’i rikthesh këto këngë që edhe janë harruar tashmë. Është mirë t’i rikthesh, por me një ‘vibe’ ndryshe. Ky ka qenë dhe qëllimi im. Më pëlqen shumë dhe kontrasti i krijuar, muzika instrumentale është shumë ‘happy’ dhe teksti është pak ‘sad’. Për mua është shumë interesante dhe prandaj e solla.

Sa e vështirë ka qenë hyrja në tregun muzikor shqiptar për ty, duke qenë se je dhe në hapat e tua të parë?

Është pak e vështirë, sidomos në muzikën që bëj unë. Por në fakt muzika elektronike është futur goxha në Shqipëri dhe e shoh që po rritet. Ndihem shumë e lumtur që ka dhe vajza të tjera që po vazhdojnë t’i futen kësaj rruge të produksionit, është një gjë shumë e mirë. Është e bukur që të kemi dhe vajza të tjera të përfshira. 

Nëse edhe juve ju pëlqen “Ma leht’ pa dhimbje”, mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.