Aktualitet

Edhe 77-vjetori i Çlirimit bën bashkë Metën e Ramën!

Ashtu si një ditë më parë në Vlorë, në 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe sot, Presidenti Meta e Kryeministri Rama u bënë bashkë për homazhet në Ditën e Çlirimit.

Në ceremoninë e rastit të këtyre çasteve, Kreu i Shtetit, Kryeparlamentarja Nikolla e shefi i Qeverisë,  vendosën kurora me lule dhe u përkulën në nderim të të rënëve, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

Për të majtët, 29 Nëntori është Dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë në Luftën e Dytë Botërore, por të djathtët nuk e njohin këtë datë e nderimet për të rënët, prej vitesh i zhvillojnë më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë e të Flamurit.

Nga 7 prilli i vitit 1939 e deri më 29 nëntor 1944, Shqipëria qëndroi e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë 1943, u pushtuam nga forcat gjermane. Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.

Ndërkaq, nuk munguan as sot nostalgjikët e Enver Hoxhës. Në Shkodër, Vlorë e Tiranë, nderuan me grusht e përdorën simbole të diktaturës.

 

Ambasada amerikane në Tiranë uron shqiptarët me rastin e 77-vjetorit të Çlirimit.

Shqipëria shënon sot përvjetorin e 77-të të Çlirimit. Në këtë festë zyrtare, shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët në luftë dhe kremtojnë lirinë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!