Aktualitet

Edhe dy ditë nga përfundimi i afatit të fiskalizimit!

Janë vetëm dy ditë që e ndajnë vendin tonë nga afati përfundimtar për fiskalizimin dhe Administrata Tatimore bën të ditur se “tashmë ky proces ka përfunduar për 100% të biznesit të madh e atij të vogël me TVSH”, ndërsa priten vetëm 10% e atyre pa TVSH.

Po sipas njoftimit me sqarimet përkatëse të Drejtorisë së Tatimeve, nga fillimi i vitit të kaluar, pra data 1 janar 2021 e deri një ditë më parë, u realizua me sukses fiskalizimi në masën 100% për biznesin e madh dhe të vogël me TVSH e që janë rreth 108 mijë tatimpagues, ndërsa mbi 4 mijë e 500 tatimpagues të biznesit të vogël pa TVSH kanë aplikuar për t’u pajisur me certifikatën elektronike të fiskalizimit. Administrata Tatimore bën edhe një herë thirrje për të gjithë tatimpaguesit, të fiskalizohen brenda ditës së enjte, pra 30 qershorit që është dhe e fundit për këtë muaj. Më tej, nuk ka më afat.

Njoftimi zyrtar i Tatimeve:

Në total, referuar të njëjtës periudhë, janë lëshuar 407,353,527 fatura të fiskalizuara. Ndërsa pritet fiskalizimi i rreth 10% tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, duke përjashtuar këtu tatimpaguesit, që nuk ushtrojnë aktivitet, e megjithatë nuk mund të kalojnë në status pasiv, për shkak të detyrimeve të papaguara, e të tjerë.

30 qershori është afati i fundit për fiskalizimin! Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit, që nuk e kanë nisur ende procesin e fiskalizimit, të aplikojnë fillimisht për marrjen e certifikatës elektronike, dokument elektronik i lëshuar nga AKSHI, përmes shërbimit digjital “Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit” (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691)”, i cili udhëzon për hapat, që duhen ndjekur, për aplikim të suksesshëm.

Nga e premtja e kësaj jave, data 1 korrik 2022, librat e shitjes/blerjes dhe deklarata e TVSH-së do të plotësohen automatikisht, sipas të dhënave të sistemit të fiskalizimit. Nëse pas datës 30 qershor ka biznese që ende nuk e kanë bërë fiskalizimin, pritet që administrata tatimore të vendosë gjoba.