Rajoni

Edhe Kosova në luftë me flakët, kryeministri Kurti shkon në Suharekë!

Në Kosovë mbeten aktive katër vatra zjarri, nga 50 që ishin javën e kaluar. Ato gjenden në Suharekë, Prizren, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në Janjevë të komunës Lipjan.

Në fshatrat e Suharekës, gjendja paraqitet nën kontroll siç bën të ditur kryekomunari Bali Muharremaj por situata po monitorohet pasi nga temperaturat shumë të larta mund të ketë të papritura. Ai raportoi për një shtëpi të dëmtuar e dëme nga flakët në bujqësi.

Në Suharekë sot ishte kryeministri Albin Kurti, i cili bëri thirrje për kujdes të shtuar:

Duhet të jemi shumë vigjilentë e të kujdesshëm pasi deri të enjten, moti i nxehtë dhe erërat e fuqishme, e bëjnë shumë më të vështirë shuarjen e zjarreve.

Krahas zjarrfikësve, në operacione janë angazhuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë e ata të Policisë së Kosovës, si dhe KFOR-it.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftoi për arrestime të personave të dyshuar si zjarrvënës.

Kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të papërgjegjshëm. Policia e Kosovës arrestoi dy persona ndërsa po vazhdon hetimin për të tjera raste të dyshimta. I bëj thirrje qytetarëve, të tregojnë kujdes maksimal, që në asnjë rast e rrethanë të mos ndezin zjarre! Në të kundërt, autoritetet kompetente do të marrin masa!

Pyjet përbëjnë rreth 44.7% të territorit të Republikës së Kosovës. Në rajon, zjarreve nuk iu ka shpëtuar as Maqedonia e Veriut. Vatra ka në Kumanovë, Strumicë, Manastir, Shtip e Shkup.