Rajoni

Edhe Kosova nën “pushtetin” e ujit, dy komuna shpallën gjendjen e jashtëzakonshme!

Siç dhe u paralajmërua, situata në Kosovë është rënduar pas reshjeve të shiut duke bërë që shumë zona të jenë të përmbytura. Qeveria dhe institucionet në varësi thonë se po vazhdojnë punën për të garantuar normalitet në këto situata të vështira. Skënderaj dhe Mitrovica janë dy komunat më të prekura e kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Megjithatë, nga përditësimet e fundit në terren, burime nga të dy komunat thonë se gjendja është nën kontroll.

Ministrat Xhelal Sveçla, Artanë Rizvanolli dhe Elbert Krasniqi u caktuan të qëndronin në Mitrovicë e më pas vazhduan me inspektimin e gjendjes në rrugën kombëtare Mitrovicë-Bërnjak, e cila pjesërisht vazhdon të jetë e bllokuar, për shkak të rrëshqitjeve të shumta të dheut.

Ministrat vizituan edhe zonën ku gjendet diga e liqenit të Ujmanit, ku pavarësisht nivelit të lartë të ujit, situata po menaxhohet me sukses. Me këtë rast, ministrat u ndalën edhe në stacionet policore, ku efektivët po japin kontribut në menaxhimin e situatës, si dhe ndihmën ndaj qytetarëve, pa asnjë dallim.

Në fshatin Drejë të Istogut, Forcat e Sigurisë së Kosovës evakuuan 14 familje me rreth 60 anëtarë. Mësohet se ata kishin mbetur të bllokuar gjatë gjithë ditës së djeshme.

Vështirësi ka pasur edhe në komunën e Pejës, më saktësisht në fshatin Baran ku situata ka qenë më e rënduar.

Në Podujevë, gjendje më e rëndë u paraqit në fshatrat Pakashticë, Letanc, Siboc e në disa zona urbane që janë prekur nga përmbytjet. Komuna e Podujevës bëri të ditur se gjendja në terren është tejet e rëndë, ndërsa kanë angazhuar pesë kompani, të cilat po punojnë me kapacitete të plota në duke ndërhyrë aty ku nevojitet.

Duke e parë gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, ku në disa fshatra qarkullimi është vështirësuar në masë të madhe, Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë, mori vendim që sot të mos mbahet mësim në shkollat e komunës së Klinës.