Rajoni

Edhe Kosova pjesë e takimit Putin-Vuçiç në Rusi!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç takoi sot presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi të Rusisë. Temë e takimit ishin edhe çështje politike. Presidenti rus deklaroi se përsa i përket Kosovës, “pozita e Rusisë është parimore”.

Sa i përket Kosovës, ju e dini që pozita e Rusisë është parimore dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike. Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke iu përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje.

Në anën tjetër, presidenti serb shprehu mirënjohje për përkrahjen e Rusisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.

Siç e dini tashmë, në rajonin tonë jemi dëshmitarë të shtimit të provokimeve dhe tensioneve, sidomos në territorin e Kosovës.

Gjatë takimit, presidenti rus Putin i tha homologut serb që do të gjejë zgjidhje të pranueshme për çmimin e gazit rus për Serbinë.

Do të gjejmë zgjidhje, e cila të jetë e pranueshme për miqtë tanë serbë.

Në lidhje me këtë, Vuçiç deklaroi se raportet mes Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë ndërsa vendet janë partnerë strategjikë dhe bashkëpunimi po vazhdon, në të gjitha fushat. Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi ushtarako-teknik. Duke folur për këtë, Putin theksoi se stërvitjet e rregullta të forcave të sigurisë, padyshim që u shërbejnë të dy shteteve.

Vuçiç pati bërë të ditur se do ta luste presidentin Putin për çmim më të arsyeshëm të gazit e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub. Marrëveshja e Beogradit me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021 dhe në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re. Për herë të fundit, presidenti serb u takua me Putinin në qershor 2020, kur mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë, me rastin e shënimit të 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit, në Luftën e Dytë Botërore.