Bota

Edhe Moderna nis provat për vaksinë kundër variantit Omicron!

Kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna nisi provat klinike për dozë përforcuese të vaksinës, e krijuar posaçërisht për të luftuar variantin Omicron të koronavirusit. Testimet do të përfshijnë 600 persona, gjysma e të cilëve kanë marrë dy doza, të paktën gjashtë muaj më parë dhe gjysma tjetër, tre. Doza përforcuese e krijuar posaçërisht për variantin Omicron do të vlerësohet për përdorim si një dozë e tretë dhe e katërt. Kompania raportoi gjithashtu rezultatet mbi efikasitetin kundër variantit Omicron të dozës përforcuese tashmë në përdorim.

6 muaj pas injektimit me dozën përforcuese, antitrupat neutralizues kundër Omicron-it u zvogëluan me nivel 600% krahasuar me atë të vërejtur 29 ditë pas vaksinimit, por mbeti i disktueshëm tek të gjithë pjesëmarrësit në studim. Këto të dhëna janë marrë nga studimi i gjakut të 20 vetëve që kishin marrë dozën përforcuese prej 50 mikrogramësh, sa gjysma e sasisë së dy dozave të para.

Stephane Bancel, shef ekzekutiv i Moderna-s:

Ne jemi të inkurajuar nga qëndrueshmëria e antitrupave kundër Omicron-it gjashtë muaj pas marrjes së dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19. Megjithatë, duke patur parasysh kërcënimin afatgjatë të demonstruar nga Omicron-i përmes shmangies së imunitetit (e krijuar nga dozat e mëparshme të vaksinës), ne po vazhdojmë me fazën e dytë të provave klinike për vaksinën kundër këtij varianti ngjitës të COVID-19.

Deklarata Moderna-s erdhi një ditë pasi rivalët Pfizer dhe BioNTech thanë se kishin filluar regjistrimin e pjesëmarrësve për një provë klinike me një vaksinë specifike kundër variantit Omicron. Të dyja vaksinat bazohen në teknologjinë RNA, duke e bërë relativisht të lehtë modifikimin e tyre dhe krijuar mundësinë për të mbajtur hapin me mutacionet specifike të varianteve të reja të COVID-19.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të shohin një rënie të rasteve të lidhura me valën e infeksioneve të shkaktuara nga Omicron, varianti më i transmetueshëm i zbuluar deri më tani, por numri i infektimeve në mbarë botën vazhdon të rritet.