Aktualitet

Edhe sot kërkime në Seman, ende asnjë gjurmë nga automjeti Golf!

Për të tretën ditë radhazi u mbyllën pa sukses kërkimet në ujërat e lumit Seman për fatin e një automjeti tip “Golf” që ditë më parë ishte marrë me qira nga Mateo Lika. Polumbarëve të RENEA-s u janë bashkuar banorë të zonës. Mësohet se kërkimet e kësaj të marte ishin më intensive, me mjete të sofistikuara.

E gjithë rrjedha e lumit u kqyr me dron ndërsa ende nuk ka informacione se në cilat pista të hetimit do të fokusohet policia ditët në vijim.
Dyshohet se në makinë ishte 26-vjeçari Mateo Lika, telefoni i të cilit rezulton i fikur prej së dielës. Ai ishte kthyer nga Gjermania, për të takuar familjarët në Fier.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit” u konstatuan të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure.

Në anë të rrugës u gjet targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një makine të marrë me qira nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.