Sot ka zgjedhje edhe në Turqi, ndër më të rëndësishmet në historinë moderne të këtij shteti. Ato mund të rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan e t’i japin fund rrugës gjithnjë e më autoritare të qeverisë së tij ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.
Votimet jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë, shtetin anëtar të NATO-s me 85 milion banorë, por edhe si do të udhëhiqet shteti, çfarë drejtimi do të marrë ekonomia e goditur nga kriza e kostos së jetesës e do të formësojnë politikën e jashtme.
Sondazhet i kanë dhënë avantazh të lehtë rivalit kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu. Ai është kandidat i aleancës të përbërë nga gjashtë parti opozitare. Por, nëse asnjë kandidat nuk arrin të fitojë mbi 50% të votave, raundi i balotazhit për zgjedhjet presidenciale do të mbahet më 28 maj.
Pas votimit, presidenti Erdogan shprehu bindjen se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë “i mirë për të ardhmen e shtetit”, por nuk u shpreh nëse mendon se do të fitojë.
Do Zoti që pas numërimit të votave mbrëmjen e sotme, rezultati të jetë i mirë për të ardhmen e shtetit tonë, për demokracinë turke.
Ndërkaq, Kilicdarogu u zotua të rivendosë demokracinë.
Të gjithëve na kishte munguar demokracia. Do ta shihni, do Zoti, pranvera do të vijë për këtë shtet!
Votuesit në Turqi do të zgjedhin dhe Parlamentin e ri. Gara zhvillohet mes koalicionit Aleanca e Popullit që përbëhet nga forca konservatore e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e të tjera parti nacionaliste, si dhe aleancës opozitare të Kicidaroglut, Aleanca Kombëtare. Në krahun opozitar bën pjesë partia sekulariste, Partia Popullore Republikane (CHP), e krijuar nga Mustafa Kemal Ataturk.
Vendvotimet janë hapur në orën 08:00 e do të mbyllen në orën 17:00, sipas asaj lokale. Referuar ligjit në Turqi, publikimi i çdo rezultati është i ndaluar deri në orën 21:00. Në orët e vona të së dielës mund të ketë sinjale të qartë nëse do të ketë apo jo raund balotazhi për zgjedhjet presidenciale.