Edi Paloka zgjidhet Kryetar i Këshillit Kombetar të PD. Paloka mori 132 vota, ndërsa kandidatja tjetër Eleina Qirici 79. Po ashtu Këshilli miratoi një rezolutë për zgjedhjen e presidentit. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se Presidenti i ri duhet të jetë unifikues dhe përbashkues.
‘Edhe pse ndryshimet Kushtetuese të 2016 kanë tentuar ta “zhveshin” këtë institucion nga përgjegjësitë, sipas Bylykbashit, Presidenca është një institucion mjaft i rëndësishëm”, tha Bylukbashi.
Ndërkaq, Edi Paloka i zgjedhur në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së tha se rezoluta që miratuan për zgjedhjen e presidentit tregon qëndrimin që duhet të mbajë grupi parlamentar i PD-së, pasi Këshilli është organi më i lartë i partisë.
“Përcaktohet qartazi qëndrimi që duhet të mabajë grupi parlmentar, pasi këshilli është organi më i lartë që përcakton linjën e PD-së. Një vendim i rëndësishëm është që nesër në gjithë Shqipërinë do ketë një protestë para komisariateve në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur, ku një i ri u gjet i vdekur në qelinë e komisariateve të Kavajës. Në Tiranë para kryeminsitrisë do ketë në orën 20:00 një protestë të heshtur”, tha Paloka.
Sipas informacioneve, 211 votues morën pjesë këtë të premte në votim.
36 deputetë të Partisë Demokratike nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha.
16 deputetë morën pjesë në mbledhjen që në fokus ka zgjedhjen e kryetarit të këshillit si dhe rezolutën për qëndrimin e PD-së lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Kulluri shkuan se Rithemelimi është Riciklimi. Duke u ndalur në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, të Edi Palokës, Kulluri shkruan, ‘turp është për ata që u turrën nëpër foltore duke denoncuar vjedhjen e votës nga Lul Basha dhe tani ngrenë dorën për dikë që e ka pranuar vjedhjen me zë dhe figurë’.
‘Kur thashë disa javë më parë se po vjen dita të themi “o Luli ku je”, e dija që kjo ditë do të vinte shpejt! Sot më zgjedhjet për Kryetarin e Këshillit Kombetar, vjedhja e votës po lartësohet në piedestal! Edi Paloka është më i pafajshmi në këtë histori sepse të paktën pati kurajon të pranonte “masakrën elektorale” të Lul Bashës! Dhe për këtë akt e kam pergëzuar! Dhe që të zgjidhet kryetar i KK pas kaq vitesh në PD është e pranueshme!
Në fakt janë të njëjtët ndaj Rithemelimi është Riciklim! Një grup servilësh, konformistësh dhe gënjeshtarësh po drejtojnë PD me pak ndryshime emrash nga disa muaj më parë! Ajo që nuk ndryshon është se PD është parti personale, parti që gënjen votuesit e saj e qytetarët dhe që përditë po ha veten dhe ata pak njerëz normal që kanë pasur vullnetin për të ndryshuar gjërat! Çfarë pjell macja, minj gjuajnë! Ta gëzoni gjirizin!’- shkruan Kulluri.