Celebrities Film & Tv

Edicioni i 94-të i ‘Oscars’, të dielën në mbrëmje Top Channel sjell live ceremoninë e ndarjes së ҫmimeve!

Mbrëmjen e së dielës të gjithë të apasionuarit pas ‘Oscars’ do të kenë mundësinë që të ndjekin live në Top Channel ceremoninë e ndarjes së çmimeve më të rëndësishme në kinematografi. Kjo speciale do të vijë në ekran nën moderimin e gazetares Dalina Buzi, teksa do të jenë të ftuar personazhe të ndryshëm për të komentuar për filmat më të përfolur, për kategoritë, nominimet, aktorët apo regjisorët që janë pretendentë kryesorë për të triumfuar.

Filmi “The Power of the Dog”, i regjisores Jane Campion, e me protagonist Benedict Cumberbatch, kryeson garën me 12 kandidatura. Ai ndiqet nga “Dune”, që ka 10 të tilla, “Belfast” dhe “West Side Story”, me nga 7 secili.  Për kategorinë e regjisorit më të mirë do të përballen Steven Spielberg, Jane Campion, Keneth Branagh, Ryusuke Hamaguchi dhe Paul Thomas Anderson.

Ndërsa në kategorinë e aktorëve më të mirë protagonist do të jenë në garë disa prej gjigantëve të ekranit si: Javier Bardem, Benedict Cumberbatch, Denzel Washington, Will Smith, Jessica Chastain, Olivia Coleman, Penelope Cruz, Nicole Kidman dhe Kristen Stewart. Për herë të parë u përfol shumë filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, i cili ndonëse mori shumë çmime ndërkombëtare nuk u rendit dot në kategorinë e filmave më të mirë ndërkombëtarë.  Gara duket shumë e fortë në të gjitha kategoritë dhe gjithҫka mbetet për t’u parë mbrëmjen e së dielës.

Vetë Dalina Buzi ka dhënë disa detaje lidhur me këtë event gala dhe çfarë të presim mbrëmjen e nesërme. Ajo zbuloi se:

Ne po flasim për ‘Oscar’-in në Tiranë, një qytet shumë i vogël. Padyshim që do respektohet ekrani me veshje. Ajo çfarë kisha unë në mendje është që vjet ‘Oscars’ pësoi rënien më drastike të të gjitha kohërave. Ishte dhe pandemia e rinia e ka humbur komplet interesin se janë të drejtuar nga platforma, nga seriale dhe ‘Oscars’ është një ceremoni që i kushtohet shumë filmave autorë dhe nuk ka interes. Këtë vit është bërë 3 orë nga 4 orë dhe i kanë kushtuar kohë spektaklit. Televizioni këtë radhë ka shkuar përtej akademisë. Deri dje kemi pasur shumë probleme me të ftuara gra. E kisha taksur për Eva Muratin se i ndjek filmat e ‘Oscars’, por do të ikë jashtë shtetit. Do të jetë një zhurmë e këndshme, nuk do futemi tek gjëja që unë kam qejf por të argëtojmë njerëzit. Kemi lidhje direkte me fanatikë të filmave që do mblidhen në një vend. Bleona do të jetë në tapetin e kuq, Armina dhe Valdrini do të flasin për ‘look’-un. Një nga producentët e “Hive” do të jetë edhe pjesë e mbrëmjes së ‘Oscars’.