Celebrities Showbiz

Eduart Grishaj flet për suksesin e filmit të tij “Sofia”!

I ftuar në studion e “Wake Up” ka qenë regjisori i emisionit më të ndjekur momentalisht nga publiku “Big Brother VIP 2″, Eduart Grishaj. Pavarësisht kësaj eksperience së fundmi ai ka realizuar edhe një film mjaft të suksesshëm në gjuhën shqipe dhe madje ishte filmi me biletat më të shitura në kinema për vitin që lamë pas.

Filmi i tij titullohet “Sofia”, një film mjaft emocionues jo vetëm prej ngjarjeve që zhvillohen aty, por edhe për mesazhin që ai përcjell. Suksesi i tij nuk ishte vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe më tej. Eduarti me skuadrën e tij arritën ta ngrinin suksesin e tyre akoma edhe më lart, duke realizuar premiera ndërkombëtare në kinemat më të famshme dhe duke thyer rekorde më të mëdha. Në lidhje me këtë, ai shprehet:

Jam shumë i suprizuar edhe unë personalisht pasi nuk e prisja suksesin që do të merrte këtë përmasë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, por edhe jashtë vendit. E kam shijuar shumë këtë eksperiencë sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose kur është transmetuar në Kanada. Kishte njerëz që realisht më kanë thënë që nuk kanë qenë kurrë në kinema dhe kanë udhëtuar rreth dy orë për të parë filmin. Sallat kanë qenë plot. Në kinema prestigjoze.

Edhe në rrjetet sociale, mbështetja ka qenë shumë e madhe për filmin, gjithashtu edhe dashuria e dhuruar për këtë projekt. I pyetur nëse e ka patur këtë mbështetje edhe nga institucionet që lidhen me kinematografinë dhe me artin, ai është shprehur:

Në Shqipëri nuk ka patur asnjë mbështetje nga qendra e filmit. Ashtu si njerëzit mund ta dijnë, ai është institucioni më i dështuar përsa i përket artit. Nëse flasim për shifra, jo se e them unë pasi ka fakte, filmi “Sofia” ka patur më shumë shikues sesa të gjithë filmat e krijuar aty këto pesë vitet e fundit. Nuk u mbështet fare. Një pjesë e përqindjes së biletave që unë kam shitur, shkon sipas ligjit tek ajo qendër. 

Tashmë premiera e filmit ka përfunduar me sukses, ndërkohë njerëzit vazhdojnë dhe e shohin atë plot kuriozitet, duke mbetur mjaft të kënaqur nga ky realzim. Ndërkohë, Eduarti vazhdon të jetë mjaft i suksesshëm edhe  në realizimin e sezonit të dytë të “BBV”. Shikueshmëria është mjaft e lartë dhe po arrin të kalojë edhe shikueshmërinë e atij të parit.