Sport

Egnatia barazon me Dinamon, Laçi i merr tre pikë Partizanit!

Nisi në dishezë sfida për Egnatian në shtëpi ndaj Dinamos duke qenë se rrogozhinasit mbetën me 10 vetë pas daljes me karton të kuq të Gëzim Krasniqit, i cili gaboi në një ndërhyrje në hyrje të zonës ndaj Patrik Bardhit. Sikur të mos mjaftonte ky penalizim, Egnatia nga kjo goditje dënimi pësoi golin. Agim Ibraimi ekzekutoi në perfeksion goditjen e dënimit duke mposhtur Pujën që nuk mund të bënte asgjë për të shmangur golin. Në vazhdim, rrogozhinasit provuan të reagonin me anë të Ademit dhe Maganit, megjithatë blutë rezistuan.

Ndërkaq, në minutën e 35, Egnatia pretendon për një penallti pas prekjes së topit me dorë nga ana e Samake, megjithatë arbitri Enea Jorgji vijoi lojën përtej protestive të vendasve. Sakaq, ky episod rëndoi nervat e tifozëve në Arena Egnatia të cilët në përfundim të pjesës së parë, kontestuan ashpër ndaj Jorgjit duke mos rezervuar edhe goditjet me sende të ndryshme. Madje, fillimi i pjesë së dytë u vonua me 15 minuta për shkak të tensioneve që vinin nga tribuna.

Gjithsesi, pjesa e dytë rifilloi, ndërsa vendasit ndryshuan fytyrë, ndërsa edhe pse me 10 vetë gjetën forcën për të reaguar dhe për të shënuar golin e barazimit. Samake gabon, ndërsa nga ana tjetër, përfiton Ademi që mposht portierin Simoni. Në vazhdim, të dyja palët e kërkuan fitoren teksa nuk munguan rastet për Denisson, Imerin apo edhe Pedro Auguston, megjithatë pas më shumë se 100 minutash të luajtura ndeshja u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Kështu, Egnatia mbetet në vendin e nëntë me 16 pikë, ndërsa Dinamo shkon në kuotën e 19 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në renditje.

Laçi-Partizani 1-0

Ndërkaq Laçi i Mirel Josës ka koleksionuar fitoren e radhës në kampionat teksa në shtëpi mposhtën me rezultatin minimal 1-0, Partizanin. Kurbinasit ishin më kërkues gjatë takimit, ndërsa edhe rasti i parë i sfidës iu takoi atyre teksa Qato vendosi në provë Alban Hoxhën në minutën e 13. Në vazhdim, ndeshja pati shumë dyluftime në fushë duke bërë që të mungonin mundësitë e pastra, ndërsa vetëm në minutën e 40, Xhuljano Skuka për Partizanin u shfaq në një aksion individual të cilin nuk arriti ta mbyllte në mënyrën e duhur. Sakaq, në fraksionin e dytë, sërish Laçi ishte më kërkues, por raste pati sërish për Skukën i cili në dy raste me kokë nuk ia doli të gjente rrjetën e Dajsinanit.

Megjithatë, nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh dhe Laçi e zbatoi më së miri këtë rregull teksa kurbinasit shfrytëzuan në maksimum kualitetin e Regi Lushkjes. Mesfushori i cili luajti ndeshjen e fundit me Laçin pasi do të transferohet te Sheriff Tiraspol në Moldavi, shënoi një supergol në hyrje të zonës teksa Alban Hoxha megjithë përpjekjen e tij nuk mundi të bënte asgjë për ta shmangur realizimin.

Ndërkaq, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Laçi fitoi duke marrë tashmë vendin e dytë të kampionatit me 34 pikë, ndërsa Partizani rikthehet te disfata teksa të kuqtë mbeten me 22 pikë në vendin e pestë.