Sport

Egnatia fiton dhe ngjitet në klasifikim, Bylisi dhe Erzeni ndahen në paqe!

Egnatia nuk fal në shtëpi dhe mposht Kastriotin me rezultatin 4-1. Ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me anë të Duamenës. Ky i fundit shënoi një gol mjaft të bukur nga një kënd i vështirë duke nisur festën tek vendasit. Megjithatë, miqtë reaguan dhe barazuan duke pasur edhe fatin në anën e tyre. Një top i goditur nga Agbekpornu u përplas në shpinën e Grecës dhe përfundoi në rrjetë.

Por, sërish rrogozhinasit u treguan të vendosur dhe pa u mbyllur pjesa e parë u rikthyen në avantazh po me anë të Duamenës. Në fraksionin e dytë, Kasa shënoi golin e tretë për Egnatian duke i dhuruar qetësi ekipit rrogozhinas. Megjithatë, qetësia e Egnatias u lëkund në momentin që Kacbufi mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijtë me 10 lojtarë.

Në të 74-tën, Kastrioti fiton 11-metërsh me Selmanin që paraqitet nga pika e bardhë, por gabon me Sherrin që kupton krahun dhe largon rrezikun. Në fund, vendasit gjetën edhe golin e katërt me anë të Jackson ndërsa pas këtij suksesi, Egnatia ngjitet në vendin e dytë me 37 pikë.

Nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 23 pikë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër Bylisi barazoi me rezultatin 1-1 në shtëpi ndaj Erzenin. Ballshiotët ishin pranë fitores në fakt, teksa kaluan të parët në avantazh me anë të Esquerdinha por u barazuan në minutën e 91-të nga Kahrimanovic.

Ky i fundit shënoi nga pika e bardhë e penalltisë duke i dhuruar një pikë të tijve me Erzenin që shkon në kuotën e 33 pikëve në vend të pestë. Sakaq, Bylisi mbetet në vendin e nëntë me 27 pikë.