Sport

Egnatia ndahet në “paqe” me Vllazninë, nuk ka fitues në Rrogozhinë!

Egnatia dhe Vllaznia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e fundit të javës së tetë të Abissnet Superiore. Ata që kaluan të parët në avantazh ishin rrogozhinasit me anë të një goditje spektakolare të Besir Isenit nga distanca. Ndërkaq, goli zgjoi shkodranët të cilët me Jonuzin ishin pranë barazimit, por goditja nga mesfushori përfundoi në këndore.

Në anën tjetër, të besuarit e trajnerit Gugash Magani kishin një mundësi të artë për të dyfishuar me anë të sulmuesit Pedro Augusto, por në këtë rast Zogoviç e bëri mirë detyrën. Sakaq, kur pritej që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin e vendasve, gardiani Puja shkakton 11-metërsh pasi shkel Liridon Latifin.

Në fakt, gjyqtari Bajramaj nuk e akordoi penalltinë, por më pas me ndërhyrjen e VAR ndryshoi mendim. Kështu, nga pika e bardhë, Latifi ekzekutoi saktësisht për të rivendosur baraspeshën. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, Imeri ishte i pafat me goditjen e tij që u përplas në traversë ndërsa nga ana tjetër, Kruja u ndal nga Puja.

Në vazhdim, të dyja ekipet provuan ta fitonin ndeshjen, por rezultati nuk ndryshoi dhe kështu ekipet e mbyllën në barazim 1-1. Pas këtij takimi, Vllaznia mban vendin e pestë me 10 pikë, ndërsa Egnatia një pozicion më poshtë, po me 10 pikë.