Sport

Egnatia ngjitet në Superiore, sherr masiv në mbyllje të sfidës me Korabin!

Egnatia do të jetë pjesë e Abissnet Superiore edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa ka fituar bindshëm me rezultatin 2-0 ndeshjen e “Play Off-it” ndaj Korabit në “Egnatia Arena”.

Ndeshja është dominuar në pjesën më të madhe të saj nga rrogozhinasit, të cilët jo vetëm morën rezultatin, por dhuruan edhe një ndeshje të bukur.

Goli i parë dhe i zhbllokimit të rezultatit erdhi në minutën e 16’, kur Delarge do të shënonte golin e parë personal të sezonit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 dhe rastet nga ana e Korabit ishin shumë të pakta krahasuar me ato të vendasve.

Edhe në pjesën e dytë Egnatia do të gjente sërish rrugën drejt rrjetës. Krasniqi fitoi një penallti në minutën e 78’, e cila u ekzekutua nga Jackson, që e dërgoi topin në rrjetë dhe i dhuroi golin e sigurisë ekipit të tij.

Ndërsa pjesa e dytë është shoqëruar me ndërprerje të shumta për shkak të përplasjeve mes dy skuadrave, që ndalën për disa minuta ndeshjen, e cila u mbyll në fund me 10 minuta shtesë.

Përplasja

Sherr masiv në fundin e sfidës Egnatia – Korabi, që përcaktoi skuadrën që do të luajë në Superiore sezonin e ardhshëm. Një ndërhyrje në dukje e ashpër e Jackson ndaj kundërshtarit ka nxitur një përplasje masive të patolerueshme mes futbollistëve të të dyja skuadrave.

Lojtarët miq nuk ka pritur vendimin e kryesorit duke reaguar dhunshëm ndaj kundërshtarit. Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe futbollistët e Egnatias, me situatën që doli jashtë kontrollit për disa minuta.

Hamiti çuditërisht në fund u mjaftua me vetëm dy kartonë të verdhë, nga një për secilën skuadër. Për shkak të vonesës së krijuar nga përplasja masive, u luajt deri në minutën e 100-të, por nuk pati ndryshim rezultati.