Bota

Ekipi sportiv shuhet nën rrënoja! Tragjedia në Hatay, qytetin ku çdo ndërtesë është shembur

Hatay është një nga 10 qytetet turke të kthyera në fantazmë nga tërmeti i dy ditëve më parë. Jeta atje është paralizuar, të paktit njerëz që marrin frymë janë ata nën rrënoja dhe pak grupe shpëtimi që janë dërguar për të shpëtuar ato.

Mes shumë disfatave, në Hatay janë klubet e sportit të basketbollit të zhdukura, me dhjetëra sportist në këtë qytet.

Top Channel mundi të kontaktojë me numrin presidenten e basketbollit të femrave të Turqisë për Hatay-n, Melek Banu Mursal e cila rrëfen jetën e saj të shkatërruar brenda atyre minutave të lëkundjeve të tërmetit.

“Kam filluar karrierën si basketbolliste që në moshën 8 vjeç dhe që nga ajo moshë ajo ka qenë pjesë e këtij qyteti pjesë e kësaj industrie sportive. Prej 14 vitesh jam shefja e e basketbollit në qytetin e Hatait. Çdo gjë e ndërtuar deri më tani është shkatërruar dhe është e pamundur që të rindërtohet. Nuk ka më asgjë, nuk ka më palestra, trajner, arbitra as sportist. Të gjithë ata që kanë mundur të shpëtojnë janë të traumatizuar edhe nëse pas një dekade apo dy do të rindërtohej askush nuk vjen më në Hatai. Pas këtij tërmeti nuk jam e sigurt se sa njerëz mund të jetojnë më në këtë qytet“- shprehet ajo.

Si është situata me sportistët atje?

Melek Banu Mursal: Ka qenë shumë e vështirë për t’u lidhur me trajnerët apo me sportistët, pasi nuk ka energji elektrike, nuk ka rrjet celular për këtë nuk jemi të sigurt se kush jeton dhe kush jo, por ne dimë që disa nga sportistët tanë nuk jetojnë më, disa kanë shpëtuar, por është e vështirë të marrësh informacion të saktë. Ne thjesht po përpiqemi të bëjmë sa mundemi për t’i ndihmuar, por këto janë gjëra të limituara dhe shumë të vogla, na duhen ekipe shpëtimi, na duhet ndihmë edhe nga jashtë. Në ditët në vijim do të kuptojmë më tepër se kush ja ka dalë dhe kush jo.

Melek së bashku me vajzën e saj Lara dhe familjarët e tjerë ndodhen tek kushërinjtë jashtë qytetit të Hatay-t.

Melek Banu Mursal: Nuk ka më asnjë shans që ne të kthehemi në Hatay dhe të jetojmë atje sepse nëse shkon dhe sheh atë qytet është krejtësisht i rrafshuar. Nuk ka më asgjë për të jetuar dhe për të bërë në atë qytet. Do të na duhet të gjejmë një vend tjetër për të vazhduar jetën tonë, por për momentin nuk kemi asnjë plan.

Vajza e saj Lara Özenser Mursal tregon se i kanë mbetur pak nga shokët dhe shoqet e klasës dhe të fëmijërisë, që jetojnë.

Lara Özenser Mursal: Ishte ora katër e mëngjesit kur ndodhi e gjithë tragjedia, isha e terrorizuar, u përpoqa të marr diçka ta mbaj sipër kokës për t’u mbrojtur. U mundova të qëndroj ashtu deri sa lëkundjet të ndalonin. Pas goditjes së parë menduam se gjithçka mbaroi, por më pas erdhi një shumë e madhe , u përpoqëm të gjithë të dalim sa më shpejt mundnim nga shtëpia, pasi shtëpia po shkatërrohej dhe po binte, muret u prishën, çdo gjë që ishte u rrëzua.

Si ishte qyteti kur ju larguat? Po miqtë tuaj?

Lara Özenser Mursal: Spitalet janë rrëzuar, shkollat po ashtu, kështu që mund të them se është e pamundur të jetohet në atë qytet. Ndoshta do të duhen 10-15 vite që qyteti të ndërtohet sërish. Është shumë e vështirë që çdo ditë të mësosh se ndoshta 5 nga miqtë e tu nuk jetojnë më, 5 nga mësuesit e tu nuk jetojnë më, 10 nga të njohurit e tu nuk jetojnë më, ne jemi qytet i vogël njihemi thuajse të gjithë.

Më pas ato shtojnë se në qytet ka filluar uria, temperaturat e ulëta dhe shirat po e bëjnë çdo gjë shumë më të vështirë, për këto arsye bëjnë thirrje për ndihmë në dy organizatat që po merren me ndihmën ndaj njerëzve të lënduar nga tërmeti në të cilat kushto mund të ndihmojë AFAD dhe AHBAP.