Aktualitet

Ekonomia do të rritet me 3%/ Parashikimi optimist i BERZH, inflacioni dhe emigrimi janë kërcënim!

Emigracioni masiv po redukton fuqinë punëtore dhe mund të ndikojë në afatgjatë ecurinë e rritjes ekonomike të vendit.

Shqetësimin e ka ngritur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në prezantimin e Raportit të Tranzicionit për periudhën 2022 – 2023, të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

 “Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve.”- u shpreh Sejko.

Sipas raportit të BERZH, ekonomia shqiptare do të ngadalësohet ndjeshëm këtë vit dhe rritja pritet të jetë 3%, parashikimi më optimist deri më tani, duke nënvizuar si një nga rrisqet më të mëdha inflacionin e lartë.

“Është shume e rëndësishme vijimi i reformave strukturore dhe do të luajë një faktor kyç për rritjen ekonomike. Në këtë kohë krizash sidomos gjate pandemisë fokusi ishte te mbijetesa, por tani duhet të fillojmë sërish të mendojmë për këto reforma.”- tha përfaqësuesi i BERZH, Christop Denk

Sipas Guvernatorit Sejko, inflacioni pritet të ngadalësohet përgjatë këtij viti ndërsa shtoi se parashikohet të kthehet në objektivin e bankës qendrore prej 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.