Aktualitet

Ekonomia është e qëndrueshme, Standard & Poor’s: Rritja ekonomike këtë vit 2.4%!

Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme. Me këtë vlerësim Standard & Poor’s pret që rritja ekonomike këtë vit të jetë 2.4%, për shkak të kërkesës së dobët nga Evropa dhe politikës monetare më të shtrënguar.

Më pas ekonomia do të rikuperohet në 3%, e mbështetur nga lehtësimi i kushteve financiare dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik global.

Vlerësimi që jep agjencia është me notë B+ edhe për borxhin publik, i cili do të ulet në 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 58.5% që është sot.

Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pikëpamjen e agjencisë se Shqipëria mund të vazhdojë të menaxhojë efektet indirekte ekonomike nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Sektori bankar i Shqipërisë vlerësohet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë me probleme arritën në 5% të kredive në dhjetor, krahasuar me një kulm prej gati 25% në vitin 2014.

Anëtarësimi në BE ka mbetur një prioritet kyç i politikave të administratave qeveritare të njëpasnjëshme, që kur Shqipëria u shpall kandidate në qershor 2014.