Celebrities Live From Tirana Music

Ekskluzive/Artjola Toska zbulon detaje nga hitet e saj muzikore!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishtë e ftuar diva e muzikës shqiptare, Artjola Toska. E gjendur pranë mikrofonit të “Top Albania Radio”-s Artjola na zbuloi detajet e bukura dhe të pathëna më parë rreth projekteve të saj muzikore që kanë bërë për vete shqiptarët anembanë botës.

1. Koka ty ta boni (2019)

“Ishte iniciativa e grupit Magic 4. Bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në mbrëmje, evente live dhe kështu nisi. Është këngë e Pirro Çakos dhe është një këngë puro shqip, gjëja që më pëlqen më tepër. Ka melodi pastaj teksti është përshtatur për gojën time si tironse vjetër(qesh). Është pritur jashtmase mirë.”

2.Unë e jotja më nuk jam (2000)

“Prapaskena ka shumë te kjo këngë. Xhirimet e klipit kanë qenë me Valter Qarrin dhe në atë kohë nuk kishin dalë akoma videoclipet. Ka patur shumë momente. Nuk kanë qenë rrugët e rregulluara dhe duke u kthyer kalojmë në Kavajë dhe prishet makina, çahet nga poshtë. Shkon Valteri me shoferin e punëtorë të tjerë për të gjetur xhenerik. Vjen xheneriku thote: “Ue kush qenka në makinë, po kjo është qejflia ime”. Ka qenë kompozim i Luan Zhegut me orkestrim të Miron Kutanit. Teksti ka qenë i Gjon Becit dhe ka qenë një periudhë që edhe Luani nuk kishte shkruar këngë baladë për këngëtare popullore.”

3.Harxhoje paren (2003)

“Qëkur kam nisur me albumet i kam dashur gjithmonë tekstet me fabulë brenda apo tema sociale. Me lekun sapo i marr e kam vendosur ku do t’i çojë. Borxhe shyqyr zotit dhe fatmirësisht akoma nuk kam marr deri tani (qesh).”

4.Vetes nuk ja fal (2006)

“Kompozim i Shpëtim Saraçit dhe me tekst të Jorgo Papingjit. 3 albumet e mia të para i kam patur me Shpëtim Saraçin. Kënga nuk është histori personale. Ka qenë ideja e Jorgo Papingjit. Te këngët e tjera pa përjashtim janë të gjitha temat e mia.

5.Duaje vjehrrën si nonën (2006)

“Është fabul që i qëndron përherë kohës në çdo periudhë. Sido që të ndryshojnë kohët po njësoj do t’i kenë raportet nusja me vjehrrën. Unë i kam marrëdhëniet super të mira me vjehrrën, pastaj si mund të shkosh keq me mua?(qesh).

6.Mirëmëngjes dashni (2016)

“Në fillim e mora me skepticizëm pjesëmarrjen tek “Kënga Magjike” se zakonisht garat dhe Festivalet nuk më pëlqejnë po duke qenë se është një aktivitet që ka shikueshmëri super të lartë, plus edhe këngë ritmike thamë pse jo. Asgjë tjetër nuk do i bëja kësaj kënge.”

7.Fol shqip (2013)

“Unë zakonisht në shumicën e teksteve i kam pasur fabulat e gjetura. Kam bashkëpunuar me kompozitorë shumë të mirë si Jorgo Papingji dhe Armand Trebicka. Referenin dhe idenë e kisha gjithmonë gati. Te kjo këngë erdha tërësisht vetëm me tekst dhe muzikë. E di se çfarë dua për veten. Është thënë mesazhi në këngë dhe kjo ka ardhur duke parë fenomene qe ndodhin me shqiptarët të cilët jetojnë jashtë vendit. Në aeroport dëgjova një grua që i fliste fëmijës 6-vjeç që nuk dinte fare shqip dhe kjo më ngacmoi”.

8. Dashnia s’ka kombësi (2016)

“Kjo këngë është me i bë qejfin edhe nonave këtu(qesh). Vjehrrat te kjo këngë kanë dhënë komente pafund, kam mbaruar punë me ato(qesh). E kam pritur si reagim qëkur është shkruajtur si tekst. Nëpër koncert vjen një familje dhe i thotë djalit: “Hë e sheh, dëgjoje”!”

9.Amon (2018)

“70% e të gjithë këtyre këngëve që kam shkruar kohët e fundit janë bërë të gjitha në avion. Zakonisht Shqipëria e Mesme e përdor shpesh fjalën “Amon”.”

10.Ne (2017)

“Këngë e shkruar nga Flor Mumajesi. I gjithi krijimi i tij. Rrallë janë ato këngë në repertorin tim që janë shkruar enkas për gojën time, që më përshtaten. E kisha këngën edhe tani në një koncert live, përpara vitit të ri dhe ka dalë shumë i bukur. Ishte një koncert pa publik dhe ja bëm yzmetin ashtu siç duhet”.