Lancio Live From Tirana Music

Ekskluzive/ Redon Makashi tregon të pathënat e këngëve të tij epike dhe zbulon projektin më të ri

Redon Makashi vjen në Top Albania Radio për një intervistë të veçantë rreth karrierës së tij ku zbërthen tekstin e disa prej këngëve që i duam shumë, si dhe na rrëfen prapaskenat qesharake por edhe ato të sikletshme të festivaleve. Intervista e tij na kujtoi disa këngët më të bukura që ai ka kompozuar e kënduar, sidomos ato që janë shfaqur për herë të parë edhe në festivalin e RTSH-së.

“Vitet më të Bukura” (1989)

“Kjo ka qenë një ndër këngët e para në arkivën e Top Albania Radios pasi kjo e fundit sapo ishte krijuar. Një nga daljet e mia të para skenike dhe kam qenë 17 ose 18-vjeç. Në atë kohë unë dhe miqtë e mi këndonim “The Beatles”, fshehurazi kuptohet.”

“Jemi zemra e çdo moshe” (1989)

“Nuk e mbaj mend si u lidha me Pirro Çakon, përfundova papritur në shtëpinë e tij dhe tha: ‘unë për ty dhe çunat kam bërë këtë këngë’. Më pas ne e performuam me kitarrë, ishte hera e parë për kohën. Ishte si thikë me 2 presa por ne ishim të rinj nuk e kuptonim rrezikun. Kjo ama na penalizoi pasi shumë performanca të tjera na i anulluan.”

“Dikur luaja me ndjenjat e saj” (1994)

“Nëse do i referoheshim dhe këngëve para kësaj, do të kuptoni që gjithmonë këngët e mia të fusin në një botë tjetër. Vendosa ta sjell pa klip sepse dua që njerëzit të mbullin sytë dhe të imagjinojnë ç’të duan vetë, ashtu si në një libër.”

“Ç’më ndodh pa ty” (1997)

“E dini çfarë më ndodhi me këtë prurje? U fut në festival dhe qëndroi vetëm 1 natë. E hoqën, nuk e kuptova përse. Më pas vendosa që ta kuroj, e ripunova në Amerikë, e bëra dhe titull albumi po ashtu edhe një klip. Më pas u pëlqye shumë, ndoshta në festival pëlqehen më shumë këngët ritmike. Më kujtohet që në festival ndodhi dhe një incident me këtë këngë, një problem me karrigen.”

“Se do t’i them asaj” (2000)

“E kam shkruar kur isha tek liqeni artificial i Tiranës. Duhet ta dini se këto këngët e thjeshta pëlqehen kaq shumë nga publiku.”

“Falja njërit dashurinë ft. Pirro Çako” (2002)

“Është shkruar nga Timo Flloko, në çdo bashkëpunim me të ai i merr shumë seriozisht tekstet që krijoj.”

“Vjeshta” (2002)

“Vjeshta është një ndër këngët që më pëlqen më shumë, teksti i saj është si një pikturë. Kjo këngë ka marrë 2 çmime në festival.”

“Serenat për nusen ft. Drita Makashi” (2007)

“Ky bashkëpunim ndodhi shumë rastësisht, nisëm ta krijonim që ta kishim të dy kujtim por në fund doli diçka shumë e bukur. Sigurisht për Dritën (mamaja e tij) ishte një emocion i veçantë sepse ajo ishte shkëputur nga muzika.”

“Më lër të fle” (2011)

“Hyra tek “Kënga Magjike” me këtë projekt pasi më tha Arditi, nuk e kisha qëllim në vetvete. Do ti që fitoi çmimin e parë kjo këngë.”

“Ekzisto” (2017)

“Kjo këngë ka dy versione, ai klasiku që ka qenë pjesë edhe e festivalit të këngës do të ketë edhe një klip.”

Redon Makashi gjithashtu zbuloi ekskluzivisht për Top Albania Radio se do të publikojë shumë shpejt edhe projektin e ri muzikor, shoqëruar nga një videoklip. Kënga quhet “Kaq shpejt më mohove” dhe u transmetua për herë të parë sot nga valët e TAR. Artisti i mirënjohur ka në plan të lançojë edhe një album të ri me 3 musketjerët, Aleksandër Gjoka dhe Elton Deda, një album që pritet të ketë 12 këngë.