Celebrities Live From Tirana Music

Ekskluzivisht për TAR, kompozitori i njohur Avni Qahili rrëfen për bashkëpunimet me artistët shqiptarë!

Sot, i ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte tekstshkruesi, gazetari, prezantuesi, producenti dhe kompozitori i njohur Avni Qahili për të na folur në lidhje me “Top Fest”-in ndër vite. Por si lindi e gjitha për Avniun si tekstshkrues? Ai shprehet se:

Çdo gjë ka të bëjë që nga lindja madje thonë që fëmija edukohet që kur nëna është shtatëzënë. Unë kam pasur pasion për muzikën, për letërsinë dhe që fëmijë kam recituar, kam thurur vargje, më kanë dhënë komplimente prindërit, më pas mësuesit e mi dhe sikur kjo vazhdoi gjithë jetën time. Pastaj diku në shkollë të mesme unë kam shkruar këngë dhe zakonisht nuk e quaj veten poet por tekstshkrues sepse une shkruaj tekste melodike. Tani bëj edhe melodi dhe kur e ke pasion, kur je njohës i mirë i gjuhës, njohës i mirë i muzikës, i ritmit, harmonisë e melodisë, kur këto i bën bashkë nxjerr diçka të mirë dhe të bukur. E kam nisur me shokët, me pasion, ne ashtu kemi filluar. Filluam disa këngë, por nuk besonim se do të ishin të arrira. Filloi masa t’i dëgjojë dhe sheh që paskam bërë diçka.

Producenti Avni Qahili ka nga një koment për disa prej këngëve të kompozuara nga ai dhe sigurisht edhe për këngëtarët e këtyre hit-eve. Në lidhje me këngën e këngëtarit të njohur Adrian Gaxha, që titullohet: “Çapkëne” ai tregon se:

Kjo ka qenë këngë e interpretuar në Prishtinë dhe kjo është e treta këngë në karrierën e Adrianit. Ishte një paraqitje që bëri shumë bujë dhe shumë zhurmë.

Për këngën e Berkan Asllanit me titull “Ekstravagante” kompozitori thotë se:

Berkani ka qenë me vokal shumë të mirë, ka pasur paraqitje, ka qenë djalosh që kamerat e kanë dashur dhe lëvizjet i ka pasur me shumë ritëm. Kështu që kam punuar 10 këngë me të dhe mendoj që të gjitha i ka pasur hite.

Pas paraqitjes së Adrianit morën guximin dhe shumë djem të tjerë që të merren me këngë sepse panë që Adriani është shumë i suksesshëm dhe nisën të vinë 1 nga 1 dhe në shumicën e rasteve më kanë kërkuar kengë si të Adrianit. Ai ishte inovativ dhe shumë i pëlqyer. Më vjen mirë që sot e kësaj dite ai djalë gëzon shumë respekt në Shqipëri. Ishte koha e këngëve, e atij ritmi dhe stili dhe këta çuna kapën kohën.

Po për këngën e Adelina Tahirit “Narcizoid” cfarë mendimi ka Avni Qahili?

Unë i kam përkrahur, i kam shtyrë para dhe ende më duan si atëherë. Unë e quaj Ada, ajo është shumë e qetë, e urtë dhe është vajzë që e ka marrë realitetin shumë seriozisht. Me Adelinën fituam në Festivalin e fëmijëve, vazhduam me “Narcizoidin” si kënga e parë. Kënga e bukur, e mirë por dhe Adelina është shumë e veçantë.

Si është të shkruash për secilin prej tyre? Ja se çfarë thotë ai:

Janë interesantë. Unë shkruaj për karakterin dhe kam nevojë ta njoh personin, të flasë pak dhe të di çfarë duhet për atë.

Ndërsa për këngën “Cok Guzel” nga Nora Istrefi, producenti i njohur tregon se:

Kjo këngë ka pak histori brenda sepse ne shumë mirë e dimë që ka shumë shqiptarë që kanë shkuar në Turqi dhe e kanë harruar gjuhën. Kjo i takon një djali që thotë “Cok Guzel” dhe pse unë kam pasur vërejtje se pse kam përdorur këtë fjalë.

Po për këngën e Shpat Kasapit me titull “Axhamiu” çfarë mendimi ka Qahili?

Ka qenë shumë simpatik. Ishte kënga e tij e parë dhe ishte vetëm 15 vjeç. Një çun simpatik, me vokal të mirë. Shpatin e veçoj paksa nga të tjerët sepse vërtet ka një shpirt shumë të mirë.

Ndërsa për këngën e Tunës “S’ka më diktaturë” ai thotë se:

Tuna e mençur, e bukur dhe shumë para të tjerëve dhe ka pasur kërkesa të mëdha në këngë. Me Tunën e kemi pasur pak problem por gjithmonë ja kemi dalë dhe ashtu siç është karakteri i saj ashtu janë edhe këngët e saj.

Ja se çfarë thotë ai për këngën e Leonora Jakupit me titull “Ky është fundi”…

Është në kulm të karrierës së saj, e kam mike dhe mund të them publikisht që e dua më shumë se gjithë bashkëpunëtorët e mi dhe është mike mbi të gjitha.

Në lidhje me këngën e Genta Ismajlit me titull “Posesiv”, Avniu rrëfen se periudha kur ka bashkëpunuar me Gentën ka qenë periudhë e artë për të. Çfarë ka për të thënë tekstshkruesi për këngën e Elita 5 “Nuk jam diktator”?

Kemi filluar karrierat njësoj dhe spotet e para i kemi realizuar në televizionin tim. Mbetet një nga grupet rrok më të mira në Shqipëri. Jam i lumtur që Elita 5 vazhdon dhe ne do të kemi një këngë tjetër.

Çfarë ndodh me artistët që ngjiten shumë lart dhe më pas bien sipas producentit?

Kjo është psikologji në vete. Këta yje vuajnë për të arritur tek majat dhe përdorin të gjitha forcat e tyre. Kur arrijnë në maja harrojnë sesi kanë arritur dhe bien pa e ditur vetë dhe kur bien, i kaplon një dëshpërim dhe kthehen tek miqtë që i kanë anashkaluar. Bien sepse nuk janë të sinqertë sepse anashkalojnë ata që u kanë bërë hitet.

Në lidhje me këngën “Për një dashuri” nga Ermal Fejzullahu ai tregon se:

Ishte koha e albumeve. Ermali ishte 15 vjeç dhe vinte me Sabri Fejzullahun dhe nënën e tij. Ishte aq i vogël sa ndonjëherë e zinte gjumi në studio (qesh). Albumi ka pasur 10 hite dhe mendoj që ndoshta kjo këngë i ndryshoi dhe jetën Ermalit sepse sot kemi të bëjmë me një super këngëtar dhe me një super milioner.

Si ka qenë ajo periudhë për producentin Avni Qahili?

Ka qenë kënaqësi e madhe. Është një pjesë e jotja dhe unë që nga viti ’91 punoj në televizion dhe jam mësuar me punët televizive. Nuk më janë dukur ndonjë arritje kushedi, është pjesë e punës sime por patjetër që kam ndjerë kënaqësi për të rinjtë që kanë arritur shumë lart.

Në mbyllje të intervistës kompozitori i njohur ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen pjesë e muzikës:

Ata që duan të këndojnë fillimisht duhet ta dashurojnë këngën, të jenë vetja dhe të besojnë tek producentët e tyre.