Art & Kulturë Celebrities Live From Tirana

Ekskluzivisht për TAR, Mark Luli dhe Julian Demeti tregojnë gjithçka rreth koleksionimit në Shqipëri!

Sot të ftuar në emisionin “Live From Tirana” kanë qenë kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, Julian Demeti dhe regjisori dhe koleksionisti i insturmenteve muzikorë, Mark Luli. Ata kanë folur në lidhje me koleksionimin dhe gjithçka që ka të bëjë me të, sidomos në ditët e sotme ku gjithçka duket se po ndryshon.

Si funksionon?

Julian: Kjo shoqatë është themeluar që nga fundi i viteve ’80. Janë mbi 150 koleksionistë. Duhet ta theksojmë se përveç koleksionistëve shqiptarë kemi edhe koleksionistë të huaj të cilët merren me koleksionimin e gjërave shqiptare. Filatelia dhe numizmatika janë shumë të përhapura edhe pse ka një pafundësi kategorish që lidhen me koleksionimin.

Mark Luli është një koleksionist i njohur i instrumentave muzikorë mbi 100 vjeçare. Deri sot ai numëron mbi 122 instrumente muzikorë që i ka koleksionuar dhe që kanë një histori në vetvete.

Si nisi kjo dëshirë për të koleksionuar instrumente?

Mark: Fillimisht faleminderit dhe një barvo që e ekspozoni këtë fushë. Unë do të thoja që gjithçka që është muzeale është identiteti dhe grupi i gjakut i një vendi. Unë kam 40 vjet që merrem me koleksionimin e instrumenteve. E kam nga im atë, edhe pse ai merrej me mjekësi. Unë i merrja firzamonikën vëllait dhe e provoja. Kur vazhdova Liceun Artistik, mbrapa Akademinë e Arteve gjithçka ndryshoi. Kam shëtitur shumë. Në çdo qytet kishte muze. Unë për fat kam punuar edhe në TKOB gjithashtu kam qenë edhe mësues flauti në Vlorë.

Ka qenë e vështirë për ju?

Mark: Po, sepse udhëtimet nuk kanë qenë kaq komode sa sot. Unë nuk ka lënë fshat të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë pa vizituar. Unë i kam kompletuar të gjithë grupet e instrumenteve.

Cili është instrumenti më i vjetër?

Mark: Unë kam mbi 122 instrumente muzikorë. Mesa kam parë, mund të flas për çiftelinë, bririn, lahutat 270 vjeçare, zymaret që janë 300 vjeçare. Fyjet e zonave, curlet e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Por jeni edhe ju që vlerës i jepni vlerë. 

Në lidhje me koleksionistët që duan të bëhen pjesë ose edhe për të tjerët si funksionon?

Julian: Ka koleksionistë të cilët nuk duan të bëhen pjesë. Ne kemi një revistë e cila quhet “Koleksionisti” që botohet dy herë në vit që prej 1994. Kemi edhe faqen tonë të web-it. Shoqata gjithashtu ka përfaqësues kudo, është një urë komunikimi mes institucioneve. Gjithmonë ka shumë punë për të bërë. Duhet vëmendje në rikthimin e vlerës tonë. 

Mark: Unë kam atë që nuk e ka shteti. Pse duhet të rrijë e ngujuar kultura jonë. 

A gjenerohen para, a fitohet?

Julian: Një koleksionist ka kosto sigurisht. Nuk është vetëm paraja por eshtë edhe procesi i gjuetisë. I gjetjes si fillim, i negocjimit dhe i marrjes më pas. Investimi gjithashtu. Duhet të dish ku të investosh. Kosto kanë objektet që kanë nevojë për mirëmbajtje. Përpos kënaqësisë shpirtërore, pasqyrimi në fund ka rëndësinë më të madhe. 

Gjithashtu ata kanë folur edhe në lidhje me trashëgiminë e këtyre sendeve dhe objekteve ku edhe kanë theksuar se kultura jonë nuk duhet që të rri e ngujuar dhe vlerat nuk duhet të fshihen për asnjë arsye. Është vënë në dukje se janë të huajt ata që vijnë dhe investojnë në lidhje me diçka këtu.  Është një pasuri që duhet vlerësuar mbi të gjitha.