Celebrities Live From Tirana Music

Ekskluzivisht për TAR/Mentor Haziri tregon disa detaje nga projektet e tij të reja!

Sot në emisionin “Live From Tirana” ishte i ftuar këngëtari i njohur nga Kosova Mentor Haziri. Këtë herë ai ka zbuluar detaje nga prapaskenat e hiteve të tij më të bukura të publikuara ndër vite dhe më e rëndësishmja mbi të gjitha ai ka treguar për herë të parë angazhimet e tij dhe planet e reja që ka. Ai është shprehur se:

Së shpejti do të konkurroj zyrtarisht në festivalin e fundivitit në Radio Televizionin Shqiptar në garën për Eurovizion. Kam bërë një këngë e cila është e jashtëzakonshme, ndoshta është një ndër këngët më të mira që kam bërë që flet për pandeminë, shpresën, dashurinë, jetën, guximin dhe durimin se gjithçka do të kalojë dhe do të bëhet më mirë për të gjithë. Është një lloj falenderimi edhe për mjekët të cilët kanë kontribuar në frontin e parë me virusin dhe është një realizim shumë i bukur që do t’ju surprizojë për mirë.

Një nga planet e tij më të reja është edhe kënga e re me Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku me titull ‘A u bo gati dashnia’.  E teksa është pyetur në lidhje se kur do të jetë gati Mentori ka treguar se:

Besoj që për dy javë do ta bëjmë gati edhe atë këngë, të cilën po e realizoj po ashtu në studio tek Genti dhe po del jashtëzakonisht bukur. Është mes baladës dhe rrymës së shpejtë.

Ndërkohë që surpriza më e madhe që zbuloi ishte albumi i tij i ri ku tregoi edhe detajet e tij duke thënë se:

Po unë po punoj me albumin tim. Një album që do të finalizojë një punë të këtij viti. Çdo artist duhet ta ketë pasaportën e tij që është albumi. Unë e kam një album me grupin ‘Kthjellu’ po është një album kolektiv dhe jo personal. Për albumin tim personal, për ta bërë për Kosovën dhe Shqipërinë unë i jam kthyer rrënjëve tona shqiptare. Muzikë e atij albumi dhe shumicën e atyre këngëve e kam shkruar vetë po bashkë edhe me producentin tim anglez. Do e realizojmë edhe me anëtarët e orkestrës simfonike të Radio Televizionit të Irlandës. Do të jetë po e njëjta energji. Do të ketë këngë të jashtëzakonshme ku disa nga ato janë edhe ripërpunime për shkak se duhet t’i ringjallim disa nga këngët tona të trashëgimisë që kemi. Nuk po i zbulojmë se cilat janë, por disa nga jugu dhe disa nga Shkodra. Një duet do të shkruhet nga Eriona Rushiti.  

Ndërkohë kënga e fundit e Mentor Hazirit, “Sonte” i është bashkangjitur listës së 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, “Top Awards”. Nëse edhe juve ju pëlqen ky projekt i këngëtarit, mund të vazhdoni që ta votoni atë për të qëndruar në klasifikim.