Botë e Çuditshme

Eksperimenti i pazakontë në Tajlandë, kanabis në vend të antibiotikëve për pulat!

Një komunitet bujqësor tajlandez bashkëpunoi me Universitetin Chiang Mai në një eksperiment unik, duke ushqyer pulat e kultivuara me kanabis në vend të antibiotikëve. Vendimi u mor pasi një shpërthim i bronkitit të shpendëve infektoi të gjitha pulat, pavarësisht se kishin marrë dozën e tyre të antibiotikut. Rezultatet duken të jenë pozitive, pulat nuk janë më të sëmura dhe mishi dhe vezët janë përmirësuar në cilësi, raporton gazeta kombëtare tajlandeze.

Eksperimenti përfshiu mbi një mijë pula, të cilat morën kanabis në mënyra të ndryshme, direkt nga gjethet ose duke e pirë. Në gjethe, nivelet e tetrahidrokanabinolit (THC), substancës psikoaktive të bimës dhe kanabidiolit (CBD), një përbërës i përdorur si një ilaç natyral për ankthin, varionin nga 0.2 në 0.4%. Chompunut Lumsangkul, i cili koordinoi eksperimentin tha se:

Unë u përpoqa t’u jepja pulave sasinë e duhur të kanabisit, gjë që do të përmirësonte imunitetin dhe performancën e tyre pa pasur efekte negative.

Kohët e fundit Tajlanda ka zbutur pak ligjet kundër kanabisit, duke u bërë shteti i parë aziatik që e dekriminalizon atë, por pirja e tij për qëllime rekreative është ende e ndaluar. Tajlandezët tani lejohen të rritin dhe të shesin marijuanë dhe ushqime dhe pije me bazë kanabisi, për sa kohë që ato përmbajnë më pak se 0.2% tetrahydrocannabinol.

Sa i përket efektit të tij tek pulat, është e paqartë pse ishte pozitiv. Sipas Lumsangkul, kanabisi mund të ketë stimuluar shëndetin dhe imunitetin e zorrëve, duke përmirësuar kështu performancën. Nuk ka dyshim se kërkimi sapo ka filluar dhe ideja e Lumsangkul është të kryejë një studim të dytë duke rritur dozat e kanabisit dhe të vëzhgojë ndikimin në sëmundjet e pulave dhe shkallën e vdekshmërisë.