Rajoni

Ekspertë amerikanë paralajmërojnë Serbinë lidhur me bashkëpunimin me Rusinë!

Ekspertë amerikanë thonë se përshkallëzimi i agresionit të Moskës në Ukrainë pasqyron dështimin e presidentit Putin e të strategjisë së tij, që të frikësojë Kievin e Perëndimin dhe t’i detyrojë të pranojnë kontrollin rus mbi pjesë të territorit ukrainas. Në një intervistë për programin në serbisht të Zërit të Amerikës, këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha se nga pikëpamja e tij, “Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth”, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që Putin të përpiqet të nxisë trazira e kriza edhe në Ballkan.

Në Ballkan ka tensione midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme në Bosnjë, si dhe rreth marrëdhënieve me Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin, si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte Perëndimin.

Ambasadorja Jennifer Brush, e cila ka shërbyer në Ballkan, mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës, me shumicë serbe.

Popullata serbe është nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Lukë sesa në Moskë. Koncepti i Rusisë për botën ruse, nxiti ringjalljen e idesë për botën serbe, por dështimi i dukshëm i Rusisë në Ukrainë do të dështojë edhe përpjekjet serbe për një botë të tillë.

Të dy ekspertët e cilësojnë “të pavend” nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” mbi çështjet e politikës së jashtme. Brzezinski tha se “është interesante të shohësh qeverinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë të jenë kritikë ndaj agresionit rus në Ukrainë e ndaj referendumeve të Rusisë”.

Megjithatë nga Serbia dërgohen edhe sinjale të përziera. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk është i dobishëm dhe jo në kohën e duhur.

Brush deklaroi se “firmosja e akordit Serbi-Rusi është sinjal fatkeq”.

Rusia po dështon në fushë-betejë, ekonomia e saj po rëndohet. Për Rusinë, përveç Serbisë, nuk ka asnjë mbështetje tjetër nga asnjë anë tjetër e botës. Edhe Kina e India janë larguar nga mbështetja për Rusinë. Kështu që mbetet vetëm Serbia, e cila është me peshë në Ballkan, por ndoshta jo në skenën botërore, që del e thotë se ne jemi me ju Rusi dhe ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje.

Brzezinski shton se “është për të ardhur keq për popullin serb që qeveria serbe nuk po bën një përpjekje më aktive për të integruar ekonominë e saj në ekonominë e gjerë europiane dhe për t’u integruar në Bllok”.

Një nga pohimet e rreme të Putinit është se zgjerimi i BE-së dhe zgjerimi i NATO-s kanë qenë një imponim nga Brukseli, nga Uashingtoni, nga Berlini ndaj demokracive të Europës Qendrore dhe Lindore. Eshtë krejt e kundërta. Procesi ka qenë gjithmonë i nxitur nga dëshirat e popujve dhe qeverive e në fund të fundit, veprimet e tyre për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në këto organizata përkatëse. Mendoj se është për të ardhur keq që Serbia duhet të zgjedhë neutralitetin në një rast kaq të qartë të agresionit brutal dhe të pajustifikuar.

Ndërkohë, për diplomaten Brush, “veprimi më i mirë për Serbinë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës, në vend të zvarritjes së një procesi të bisedimeve që ka siguruar disa marrëveshje, por shumë pak prej tyre janë zbatuar”.

Pra, është 100 për qind në interesin më të mirë të Serbisë që ta kapërcejë këtë pengesë. Nuk do t’i fusë automatikisht në BE, por do të lehtësojë shumë tensionet në rajon dhe do të ndihmojë që i gjithë rajoni të ecë përpara.