Aktualitet

Ekspertët kundër dozës së 4-rt të vaksinës anti-COVID!

Ekspertët në Shqipëri ndajnë të njëjtin qëndrim me ata amerikanë duke e cilësuar “të panevojshme” dozën e katërt të vaksinës anti-COVID, që po aplikohet në Izrael për moshat mbi 60-vjeç. Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti shprehet se “sipas parimit biologjik, doza e katërt nuk ka bërë ndonjëherë sens.

Pretenduam që me vaksinën ne do të bllokonim transmetueshmërinë, gjë që nuk ndodh. Vaksinës së gripit, nuk ia kërkojmë ndonjëherë këtë. I kërkojmë të shmangim format e rënda, vdekjen, shtrimin në spital, se këto na interesojnë të shmangim. Ndërkohë, që vaksinën e COVID-it i ngritëm pritshmëritë tona në qiell, por po i njëjti njerëzim jemi, këto aftësi kemi. Studimi i parë mbi dozën e katërt, patjetër që erdhi nga Izraeli.

I kanë krahasuar me ata me tre doza dhe konstatojnë që nuk ka diferencë, përsa i përket efektivitetit. Kjo do të thotë që doza e katërt nuk shërben më për atë që ata pretendojnë, bllokimin e infeksionit. Për format e rënda, ne e kishim shumë të qartë, që dy të parat, por edhe e treta kishin efekt maksimal, kështu që nuk bën sens doza e katërt.

Komiteti i Përbashkët i Vaksinimit dhe Imunizimit në Britaninë e Madhe, kur hulumtoi nëse vlen të bëhet doza e katërt te të moshuarit, në azile, për moshat mbi 80-vjeç, gjeti qartë që tre dozat e para u japin efektivitet mbi 90%, për mbrojtjen nga forma e rëndë dhe nga humbja e jetës. Kujdes, flasim për Deltën, pasi Omicron-i është edhe më i lehtë. Si rrjedhojë ata thanë që doza e katërt, nuk bën sens!

Në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën thirrje qytetarëve të cilëve iu ka kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese.