Aktualitet

Ekspertiza: Lear Kurti vdiq nga helmimi akut me kokainë!

Prokuroria e Tiranës bën publike ekspertizën e vdekjes së Lear Kurtit, i cili humbi jetën teksa po transportohej nga komisariati për në spital. Njoftohet se u përcaktua diagnoza Anatomo-Patologjike në të cilën detajohet se “32-vjeçari ka humbur jetën nga helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).

Mbi administrimin e aktit mjeko-ligjor për shtetasin Lear Kurti

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti.

Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:

Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.

Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)

Mbrëmjen e 19 tetorit, rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr.3 i kërkoi të ndalonte, por ai nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie prej rreth 400 metrash, i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”.

Në njoftimin paraprak, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se “gjatë shoqërimit, 32-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u kërkua ndihma e urgjencës”. Burime nga uniformat blu thanë se pati dridhje trupi e të vjella. Duke qenë se gjendja e tij po përkeqësohej, me mjetet e policisë u dërgua në spital ku ndërroi jetë.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës u gjet një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë, me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila iu nënshtrua ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të kishte dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara, në momentin e prangosjes.