Aktualitet

Ekzekutimi i Arjan Gosës në Kavajë, vetëdorëzohet Habib Rexha!

Vetëdorëzohet Habib Rexha, 31-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet si autor i vrasjes së Arjan Gosës.

Rexha ekzekutoi me një plumb në kokë të vëllain e Armand Gosës, Arjanin, teksa ky i fundit ishte duke pirë kafe me të atin në një lokal pranë shkollës 9-vjeçare “Rilindja”, në Kavajë, ndërsa shihnin një ndeshje futbolli.

Ngjarja e rëndë me motiv hakmarrjen, ndodhi në pasditen e së dielës në lagjen nr.1, ndërsa veprimet e shpejta hetimore çuan në identifikimin e autorit të krimit, por jo në kapjen e tij. Policia madje vuri në dispozicion të çdo qytetari 10 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm për vendndodhjen e Habib Rexhës.

Habib Rexha, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë dhe verifikimet e bëra, qëlloi dhe vrau Arjan Gosën me një plumb të vetëm në kokë dhe më pas u largua me vrap, i pamaskuar, nga vendngjarja.

Brenda më pak se dy muajsh 78-vjeçari Osman Gosa humbi dy djemtë e tij në dy ngjarje kriminale që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në dëshminë e tij, Osmani tha se: “Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe një njeri që iku me vrap”.

Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 mars në Kavajë.  31-vjeçari Habib Rexha vendosi të hakmerret ndaj ekzekutorit të vëllait të tij, Edmond (Armand) Gosa, që mbeti gjithashtu i vrarë në mars, duke i marrë jetën të vëllait, Arjanit.

Vrasja e marsit ndodhi për motive të dobëta. Nga hetimet mbi ngjarjen rezulton se Edmond Gosa e fyente vazhdimisht Altin Rexhën në lidhje me origjinën e tij, ndërsa konflikti pati nisur për një “vështrim të shtrembër” mes tyre. Mbrëmjen e 29 marsit teksa Rexha ndodhej bashkë me djalin e vet në afërsi të banesës së tij është konfliktuar sërish me Edmond Gosën i cili e ka qëlluar. Rexha i është kundërpërgjigjur dhe të dy kanë humbur jetën.