Bota

Ekzekutohet aktivistja e njohur afgane, u vra në një kurth në Afganistan!

Afganistani vajton vrasjen me armë zjarri të katër grave, mes tyre aktivistja e docentja e ekonomisë Frozan Safi. 29-vjeçarja rezultonte e zhdukur prej dy javësh dhe bëhet e para mbrojtëse e të drejtave të grave që ekzekutohet prej muajit gusht, kur talebanët u rikthyen në pushtet në Kabul. Mësohet se viktimave u ishte ngritur kurth, në një shtëpi në Mazar-i-Sharif, ku shkuan pas premtimit se do të largoheshin nga Afganistani. Për britaniken “The Guardian”, motra e saj Rita, me profesion mjeke, tregon:

E njohëm nga veshjet, pasi ishte shpërfytyruar nga plumbat. Ishte mbuluar nga plagët, në kokë, zemër, kraharor, në këmbë e në veshka. Unazën e fejesës dhe çantën nuk e gjetëm.

Mësohet se 29-vjeçarja po kërkonte me të gjitha mënyrat të largohej nga Afganistani, për shkak të frikës nga talebanët. I fejuari gjendet jashtë vendit dhe nuk arritën të bashkoheshin. Tre javë më parë, Safi kishte shkuar të takonte një person, që i premtoi ndihmë, por më pas ajo u zhduk dhe duket se gjithçka ishte një kurth.

Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi se dy janë të arrestuarit, ndonëse nuk dha detaje rreth tyre dhe as për identitetet e tre viktimave të tjera. Shumë aktiviste e aktivistë kanë deklaruar se marrin telefonata nga njerëz që kanë mbështetur, të cilët iu premtojnë lehtësira për t’u larguar nga territori afgan. Prej mesit të gushtit, talebanët zotohen para komunitetit ndërkombëtar se nuk do të pengojnë afganët e të huajt me pasaporta e viza të vlefshme. Por kush nuk i ka, mbetet pa një opsion për largim të menjëhershëm nga Afganistani.