Aktualitet

Elbasan, sekuestro pasurisë nga aktiviteti kriminal në Norvegji!

Prokuroria sekuestron pasuri me vlerë 500.000 NOK të dy vëllezërve nga Elbasani. Ka dyshime që të ardhurat e tyre erdhën nga aktiviteti i mëparshëm kriminal që kanë ushtruar të dy vëllezërit në Norvegji.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.1944, të vitit 2019, që bën fjalë për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, mbi bazën e materialit të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, e cila ka përcjellë informacion dhe akte nga Autoritetet Norvegjeze në ngarkim të shtetasit shqiptar D.Ç.

Nga studimi i këtyre akteve, rezulton se Ministria e Drejtësisë me shkresën Nr.3298/1 Prot A.H., datë 12.09.2019, ka transmetuar aktet e vëna në dispozicion nga autoritetet norvegjeze të drejtësisë, përkatësisht të Prokurorisë Publike të Rajonit Agder, Norvegji, me qëllim rregjistrimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasit shqiptar D.Ç., i lindur më 16.11.1988, në Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i parave”.

Aktet e transmetuara nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze janë përcjellë mbështetur në nenin 7 të Konventës së Këshillit të Europës për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike në Fushën Penale, nenin 10 të Konventës Europiane mbi Pastrimin, Depistimin, Kapjen dhe Konfiskimin e Produkteve të Krimit. Rezulton se Gjykata e Apelit Agder, më datë 05.05.2018 ka vendosur dënimin e shtetasit D.Ç., me 13 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas vendimit penal nr.17-05354 MED-KISA/29 datë 10.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kristiansand, Norvergji, rezulton se është vendosur: për shtetasin D.Ç., dënimi me 13 vjet burgim për veprat penale “Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, “Falsifikim dokumenti”, “Vjedhje energjie elektrike” dhe “Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj” parashikuar nga Kodi Penal norvegjez si dhe dënimi me konfiskim të dy objekteve që janë përdorur në lidhje me shitjen e lëndëve narkotike, konfiskimin e pajisjeve të komunikimit, dhe konfiskimin e aseteve në shumën prej 500.000 NOK.

Gjithashtu dhe për vëllain e tij A.Ç., është vendosur dënimi me 12 vjet burgim për veprat penale “Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, “Vjedhje energjie elektrike” dhe “Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në Agder me vendimin nr.17-192939AST-ALAG datë 09.05.2018.

Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi pasuritë e shtetasit D.Ç., dhe personave të lidhur me të, të evidentuara gjatë hetimeve si pasuri të pajustifikuara dhe të dyshuara si të vendosura mbi burime kriminale.

Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, me vendimin nr.8536, datë 21.10.2022 ka disponuar:

Vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:Një Apartament me numër pasurie ……, me sipërfaqe 59 m2 apartamenti dhe 80 m2 veranda, ndodhur ne pallatin nr…shk… kati… ap.11 në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan. Një Garazh me numër pasurie …, me siperfaqe 14,6 m2, e ndodhur në pallatin nr…në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan.

Një Njësi me numër pasurie … me sipërfaqe 94,5 m2 e ndodhur në pallatin nr… në lagjen Visarion Xhuvani, Elbasan. Banesa 2 kate me sipërfaqe të përgjithshme 264 m2, ndodhur në lagjen Çesme-Peqin për të cilën është aplikuar nga shtetasja A.Ç. me formular vetëdeklarimi datë 13.01.2015. Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u realizua ekzekutimi i vendimit të mësipërm të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për sekuestrimin e aseteve.