Sport

Eliminatoret e “Euro 2024”, Kosova merr 1 pikë nga barazimi me Izraelin!

Në një ndeshje që meritonte shumë më tepër, Kosova e nisi me barazim e me një pikë, takimin e parë të fazës eliminatore të Euro 2024-ës edhe sepse në 90 minuta tregoi se ishte mbi kundërshtarin. Përballja me Izraelin në Tel-Aviv përfundoi në barazim 1-1.

Nën presionin e vazhdueshëm të lojtarëve të Kosovës, izraelitët shënuan në portën e tyre në minutën e 36’-të me autogolin e kapitenit Eli Dasa dhe kjo pas tentativës së Milot Rashicës për të gjetur golin. Madje në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 48’-të, Kosovës iu anulua goli nga sistemi VAR e kjo sepse Rashica shkaktoi faull duke e prekur topin me dorë. Në të 56’-ën, Dor Peretz gjen golin e barazimit që do të mbetet në fuqi deri në fund të sfidës së djeshme, përtej rasteve për shënim të Kosovës.

Pjesa e parë foli më shumë për Izraelin, por Kosova bëri më mirë në fraksionin e dytë të sfidës, duke humbur disa raste të pastra në minutat e fundit.

Në Grupin I, tashmë skuadra e Alen Zhires kthehet në fushën e lojës të martën e 28 marsit në “Fadil Vokrri”, ndërsa në Prishtinë pret Andorrën në orën 20:45, me shpresën që t’i ketë tre pikët e sigurta. Zvicra, Rumania, Bjellorusia janë rivalët e tjerë të dardanëve.