Sport

Eliminatoret e Katarit, kuqezinjve iu duhet fitorja ndaj Hungarisë!

Në “Elbasan Arena” luhet Shqipëri-Hungari, e vlefshme për grupin e parë të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Tre ditë më parë në Varshavë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit dështoi në përpjekjet për t’i rrëmbyer Polonisë një fitore e ndeshja përfundoi 4-1. Loja nuk ishte për t’u hedhur poshtë por trajneri Reja kërkon të shmangen gabimet që sollën disfatën e 2 shtatorit.

Kemi një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë pas atij rezultati të padrejtë që patëm në Poloni. Pres një ndeshje të mirë nga skuadra, duhet të bëjmë paraqitje siç bëmë në Poloni, sepse nëse shohim rezultatin mendojnë se na kanë masakruar, por nuk është ashtu, në vija të përgjithshme skuadra bëri paraqitje të mirë, të gjejmë frymën e ekipit. Një humbje me Poloninë qëndron, por me Hungarinë duhet të fitojmë se s’bën, çdo ndeshje është vendimtare në këtë pikë, jemi akoma në lojë.

Hungaria e drejtuar nga bashkëatdhëtari i tij, Marco Rossi është rivale për t’u vlerësuar, sidomos pas paraqitjeve të mira që bëri në Europian.

Kuqezinjtë do të kërkojnë të rikthehen te suksesi ndaj Hungarisë, veçse në sfidën e sotme, tekniku Reja duhet të bëjë pa Hysajn, Manajn e Baren, të cilët për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve, nuk do të jenë në dispozicion të italianit në “Elbasan Arena”.

Ndërkaq, Holanda e Kroacia siguruan fitore me vlera në kualifikueset që të çojnë në Botërorin “Katar 2022”. Tulipanët nuk e falën Malin e Zi duke e mposhtur 4-0. Kroacia fitoi në limite përballë Sllovakisë. Goli i Brozoviçit në minutën e 86-të i dhuroi tre pikë ballkanasve.

Franca vijon krizën e rezultateve ndërsa barazoi 1-1 në Ukrainë. Ishin vendasit që kaluan në avantazh me një supergol të Shaparenkos, por në pjesën e dytë Martial barazoi shifrat. Për sulmuesin ishte goli i parë në karrierë me francezët.

Fitore arritën edhe Rusia, Turqia, Finlanda, Serbia, Danimarka, Sllovenia, Izraeli apo Skocia, që ende janë në garë për një vend në botëror. Nuk mbetet pas as Norvegjia me Haaland, i cili nuk ndalet së shënuari.