Aktualitet

Eliminohet rreziku i zjarrit drejt Parkut të Llogarasë!

Aktualisht, zjarri në fshatin Dukat i Ri, nuk paraqet rrezikshmëri në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë në Vlorë. Lajmin e bën të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili njofton gjithashtu se nuk ka më rrezik për banesat nga vatrat në fshatrat Thirrë e Munellë-Domgjon.

Njëherazi, vijon puna për mbajtjen nën kontroll të zjarrit mbi tunelin e Kalimashit. Gjithashtu, në pjesën më të madhe u izolua zjarri në masivin me pisha në Krushovë të Voskopojës në Korçë. Po ashtu, u arrit të izoloheshin në kohë të shpejtë flakët në malin e Tomorrit në Berat.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, po monitorohen disa vatra në fshatin Çorrush në Mallakastër në Bogë të qarkut Shkodër.  Një vatër zjarri e re u evidentua në vendin e quajtur Qafa e Tërkuzit, në pjesën e Republikës te Malit të Zi, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Situatën po e ndjekin forcat zjarrfikëse të Kukësit.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako priti dy përfaqësues të tjerë nga ekipi USAID-it, të cilët mbërritën sot dhe do të ndajnë eksperiencën e tyre me ekspertët shqiptarë në lidhje me fikjen e vatrave të zjarreve në territorin shqiptar.

Ekspertët amerikanë kanë përvojë të gjatë në fushën e përgjigjes ndaj fatkeqësive natyrore si zjarret masive në zonat pyjore. Ata vazhduan takimet intensive në Bazën e Pashalimanit në Vlorë.

Shqipëria vijon nën dominimin e motit të qëndrueshëm e me kthjellime edhe pse në këtë pjesë të dytë të ditës, priten kalime të pakta vranësirash në zonat malore. Temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 15 në 38 gradë celcius.