Live From Tirana Politikë

Eljo Hyska: “Në politikë duhet të merremi të gjithë sepse politika merret me të gjithë”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar Eljo Hyska, kryetari i FRESH si dhe deputeti i PS, që kandidon i 33-ti në listën e të majtëve. Si ka qenë për Eljo-n të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve?

Për mua nuk janë zgjedhjet e para por janë zgjedhjet më interesante dhe më kreative sepse nga Kodi Zgjedhor na ofrohen dy mundësi të ndryshme: E para ne përfaqësojmë forcat tona politike dhe prezantojmë programet që këto forca kanë dhe e dyta duke qenë se votohemi si kandidatë, secili prej tyre ka mundësi të ofrojë atë që do të përfaqësojë si individ. 

Si ka qenë përqasja e Eljos-it me politikën që në fillimet e tij?

Kërkon një këmbëngulje të jashtëzakonshme. Thelbi është qëndrueshmëria. Unë e kam nisur para 9 viteve angazhimin politik, kur protestoja qeverinë e atëhershme. E rëndësishme është të kesh besimin te ajo që do të arrish. Qëllimi im politik është që të shërbejë me sa të mundem për të rinjtë me projekte konkrete. Duhet të dish të zgjedhësh edhe ekipin. Politika nuk ka moshë, mund të hysh 18, 25 por edhe 65 vjeç. Politika është e gjitha një vokacion i brendshëm dhe në momentin që hyn duhet të kuptosh që është vetëm ajo dhe ka shumë pak hapësirë për gjërat e tjera. Unë kam mësuar shumë por ndonjëherë mendoj se nuk di asgjë sepse zbulon dimensione të tjera të vetes, të natyrës njerëzore dhe më shumë se në politikë unë nuk besoj se i zbulon dot njerëzit se në çdo lloj gjëje tjetër. 

Për dy vite Eljo ka mbajtur postin e deputetit, por sa peshë ka patur ajo karrige për të?

Ajo është privilegji më i madh që mund t’i bëhet njeriut sidomos në moshën që e arrita unë. Unë pata një fat jo nga më të mirët sepse në 2-vjeçarin që unë shërbeva si deputet qëlloi 2-vjeçari i tërmetit dhe i pandemisë. Ishte edhe ikja e opozitës nga parlamenti dhe nuk pata fatin që të performoja në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithsesi jam i lumtur që shërbeva në momente të vështira. Unë e kam nisur 18-vjeç angazhimin tim në PS dhe në këtë rrugë më janë bashkuar miqtë, shokët dhe të rinjtë që ndajmë të njëjtin pikëpamje.

Në politikë duhet të merremi të gjithë sepse politika merret me të gjithë. Në Tiranë apo në periferi ka të rinj të jashtëzakonshëm të cilët më aftësitë e tyre kanë arritur të ndërtojnë ekonomi. Janë pafund djem e vajza të cilët nga periferia më e largët deri në qendër të Tiranës merren me dizajn, modë, me industri artizanale, me programime dhe janë këta të rinj që janë bërë zot të vetes së tyre dhe familjes së tyre. Angazhimi im pas zgjedhjeve dhe pasi unë të marr mandatin do të jetë krijimi i një dhome për industritë kreative kur të gjithë të rinjtë në zona të ndryshme të kenë një qendër që i ndihmon të promovohen.