Bota Tech

Elon Musk dërgon një tjetër njoftim në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund marrëveshjes me Twitter!

Elon Musk ka dërguar letrën e tretë te Twitter duke u përpjekur që ta ndalojë blerjen e kompanisë në fjalë me vlerë prej 44 miliardë dollarë. Ekipi ligjor i Musk citoi pagesën e shkëputjes prej miliona dollarëve ndaj ish-shefit të sigurisë dhe sinjalizuesit Peiter Zatko si shkelje e marrëveshjes së bashkimit të kompanive dhe si një arsye për t’i dhënë fund marrëveshjes.

Letra e datës 9 shtator, iu dërgua shefit ligjor të Twitter, Vihaja Gadde dhe u përfshi në një dosje të cilën Twitter e bëri me SEC gjatë fundjavës që lamë pas. Elon Musk e dërgoi letrën e tij të parë në korrik, duke thënë se Twitter e mashtroi atë në lidhje me numrat e robotëve në platformën e tyre dhe se kompania nuk do t’i jepte atij qasje në informacionin që atij i nevojitej për të bërë përcaktimet e tij.

Nëse Musk lejohet që t’i jap fund marrëveshjes është çështje e gjykatës në Delaware pasi që gjatë muajit korrik Twitter e paditi Musk për përpjekjen e largimit nga marrëveshja. Në muajin gusht, Musk paraqiti njoftimin e dytë për dhënien fund të marrëveshjes, sipas mediave të huaja. Seanca është vendosur që të fillojë me 17 tetor, ndërsa Twitter nuk u përgjigj në kërkesën për koment mbi letrën.

Të enjten, ‘Wall Street Journal’ raportoi se Twitter kishte rënë dakord t’i paguante Zatkos afërsisht 7 milionë dollarë përpara se të largohej nga kompania, në lidhje me kompensimin e humbur pasi ai dhe kompania negociuan për pagën për muaj të tërë. Avokatët e Musk po e përmendin atë si një arsye tjetër pse marrëveshja e tij për të blerë kompaninë e mediave sociale nuk duhet të realizohet. Marrëveshja e blerjes e ndalon Twitter-in nga ofrimi i çdo pagese të jashtëzakonshme të shkëputjes ose përfundimit. Sipas ‘Journal’, marrëveshja nuk është veçanërisht e çuditshme, duke pasur parasysh se Zatko ishte një ekzekutiv që largohej nga kompania, por duket se Musk nuk është dakord.