Celebrities Music Showbiz

Elton John detyrohet të shtyjë koncertet e tij, shkak COVID-19!

Koncertet e artistit Elton John në “American Airlines Center” në Dallas janë shtyrë pasi këngëtari rezultoi pozitiv me COVID-19, thuhet sipas një deklarate të lëshuar së fundmi nga mediat. Njoftohet se turneu tashmë i vonuar prej kohësh i quajtur “Farewell Yellow Brick Road” nuk do të zhvillohet dy ditët që ishte caktuar.

Me keqardhje të madhe datat e turneut të “Farewell Yellow Brick Road” në Dallas, të përcaktuara për të martën, 25 janar dhe të mërkurën, 26 janar, duhet të shtyhen për shkak se Elton john së fundmi doli pozitiv me virusin COVID-19. Për fat të mirë, artisti është i vaksinuar me të gjitha dozat dhe po përjeton vetëm simptoma të lehta. Fansat duhet të mbajnë biletat e tyre pasi do të shpërblehen në datat e riplanifikuara që do të shpallen së shpejti. Elton dhe turneu “Farewell Yellow Brick Road” presin me padurim të kthehen në skenë së shpejti.

Këngëtari sapo ishte kthyer me organizimin e koncerteve live pas një pauze gati 2-vjeçare për shkak të pandemisë. Turneu u vonua gjithashtu vitin e kaluar pasi ai iu nënshtrua një operacioni në kofshë. John kishte shpallur datat e turneut në qershor të vitit 2021, duke thënë në atë kohë:

Shfaqjet që unë shpall sot do të jenë datat e fundit të turneut tim ndonjëherë në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Unë do të dal në mënyrën më të madhe të mundshme, duke performuar më të mirën time, me produksionin më spektakolar që kam pasur ndonjëherë, duke luajtur në vende që kanë pasur aq rëndësi për mua gjatë gjithë karrierës sime.

Legjenda 74-vjeçar, doli në skenë për herë të parë pas gati dy viteve në New Orleans para pak ditësh, dy ditë pasi festoi rikthimin e tij në turneun “Farewell Yellow Brick Road” në Instagram me një montazh video nga koncertet. Përpara se të dilte në skenën e “Smoothie King Center” për të performuar disa nga hitet e tij më të dashura, John ndau disa fotografi të ndryshme nga qendra e New Orleans në Instagram Story, duke përfshirë një imazh të një varke me avull dhe një tramvaje.