Bota

EMA autorizon vaksinën e Pfizer&BioNTech te moshat mbi 5-vjeç!

Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA deklaroi se fëmijët mbi 5-vjeç mund të fillojnë të marrin vaksinën e koronavirusit Pfizer/BioNTech. Vendimi hap rrugën për miratimin e vaksinës së parë në Bashkimin Europian për fëmijët nën 12-vjeç.

Komisioni Europian ende nuk ka dhënë miratimin zyrtar për këtë veprim, por kjo konsiderohet një formalitet. Në Europë, deri më tani vaksina Pfizer/BioNTech është miratuar vetëm për njerëzit e moshës 12-vjeç e lart. Por, në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 5-vjeçarët mund të vaksinohen me të.
Ekspertët përgjegjës kaluan rreth dy muaj duke shqyrtuar të dhënat mbi rreziqet dhe efikasitetin e vaksinës tek fëmijët midis moshës 5 e 11-vjeç, përpara se të publikonin vlerësimin përfundimtar.

Në një tjetër zhvillim, e përballur me një valë të katërt të infektimeve me koronavirus, Italia ka forcuar kufizimet ndaj COVID-19 dhe ka zgjatur afatet e vaksinimit. Qeveria miratoi një dekret, sipas të cilit, rregullat që kërkojnë dëshmi të vaksinimit ose shërimit, duhet të zbatohen për pjesën më të madhe të jetës publike duke filluar nga 6 dhjetori. Po ashtu edhe hyrjet në bare, restorante ose ngjarje publike do t’i nënshtrohen sigurimit të një prove të tillë.

Rregullat pritet të zbatohen në nivel kombëtar deri më 15 janar. Më pas, ato do të zbatohen vetëm në rajonet e shpallura zona me përhapje të lartë të koronavirusit që kërkojnë rregulla më të rrepta. Nga 15 dhjetori, personat që punojnë në shkolla, policët, ushtarët e punonjësit e administratës shëndetësore duhet të vaksinohen kundër COVID-19. Punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët kanë nevojë për një vaksinë që nga prilli, duhet të marrin një dozë përforcuese. Rregullat e reja do ta bëjnë jetën më të vështirë për të pavaksinuarit në Itali.