Bota

EMA pret që përhapja e Omicron-it të çojë në endemi!

Agjencia Europiane e Medikamenteve, (EMA) thotë se pavarësisht se përhapja e llojit Omicron të koronavirusit nuk konsiderohet pozitive, kjo mund të shkaktojë një proces që do të çojë nga pandemia në endemi. Zyrtari i EMA-s përgjegjës për strategjinë e vaksinimit, Marco Cavaleri, mbajti një konferencë për media ku foli për pandeminë COVID-19 dhe vaksinimin. I pyetur se kur do të shohim dritën nga fundi i tunelit, Cavaleri u shpreh se “ende nuk dihet, por ajo që vihet re është se virusi po merr një gjendje endemike”.

Megjithatë, ajo që nuk mund të themi është se kemi arritur një gjendje endemike. Koronavirusi vazhdon të sillet në mënyrë pandemike. Këtë e tregojnë edhe urgjencat e shkaktuara nga Omicron. Nuk duhet harruar se ende jemi në pandemi.

Sipas zyrtarit, “rritja e imunitetit tek njerëzit, si dhe përhapja e llojit Omicron, përveç vaksinave e shtimit të imunitetit natyror, mund të çojë drejt një procesi të përshpejtuar që është më afër endemisë se pandemisë”. Cavaleri iu referua edhe pretendimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se në muajt e ardhshëm, më shumë se gjysma e popullsisë në Europë mund të infektohet me llojin Omicron. Po ashtu theksoi se janë të shqetësuar për barrën që mund të sjellë vala e Omicron-it dhe se “duhet të përgatitemi për pasojat e kësaj vale, ndonëse sëmundja duket se shkakton simptoma më të lehta”.

Referuar faktit se lloji Omicron është më ngjitës, Cavaleri tha se “një numër i madh njerëzish do të ekspozohen ndaj virusit, edhe nëse nuk shfaqin simptoma”.

Kjo do të thotë se mund të vijë deri të forcimi i imunitetit natyror. Arritja e imunitetit shtesë është shumë e rëndësishme sepse jep mundësinë që infeksioni të bëhet endemik. Përhapja e madhe e Omicron-it nuk është një lajm i mirë, por pasi kjo valë lë pasoja në Europë dhe vende të tjera të botës, fakti që një numër i madh njerëzish do të infektohen mund të kuptohet se kemi imunitet të fortë, që do të na çojë nga pandemia në endemi.

Pyetjes nëse vaksinat kundër COVID-19 do të kërkojnë dozën e katërt, Cavaleri iu përgjigj duke theksuar se “ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme shkencore”. Më tej, nënvizoi se dozat shtesë duhet të jenë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse.

Nuk mund të marrim një dozë shtesë të vaksinës çdo tre ose katër muaj. Për shembull, nëse marrim një dozë shtesë çdo katër muaj, mund të mos marrim përgjigjen e dëshiruar nga sistemi imunitar. Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e rëndojmë sistemin imunitar me vaksinime të përsëritura. Përveç kësaj, doza shtesë të vazhdueshme te njerëzit mund të shkaktojnë ngopje.