Aktualitet Bota Celebrities

Emigrantët në Siçili, Richard Gere thirret për të dëshmuar kundër Matteo Salvini-t!

Ylli i Hollywood-it, Richard Gere do të thirret për të dëshmuar kundër liderit të së djathtës italiane, Matteo Salvini për rastin e migrantëve në Siçili. Udhëheqësi i partisë së djathtë italiane ”Lega”, Matteo Salvini, u kritikua në fillim të gjyqit të tij për rrëmbimin e dyshuar të 147 emigrantëve, ndërkohë që ishte ministër i Brendshëm.

Migrantët ishin në bordin e një anijeje në pronësi të OJQ-së spanjolle “Open Arms”, të cilës Salvini i refuzoi lejen për të zbarkuar në Itali, në gusht 2019, duke i lënë të bllokuar në det dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Mes dëshmitarëve të listuar në padi është edhe aktori amerikan Richard Gere, i cili vizitoi migrantët në bord ndërsa ata prisnin në brigjet e Italisë, gjë që për Salvinin është një shembull i mungesës së seriozitetit të akuzave të ngritura ndaj tij. Salvini pas seancës së parë në Palermo u shpreh se:

Le të flasim për Richard Gere. Ju më thoni sa serioz është një gjyq, kur dikush vjen nga Hollywood për të dëshmuar.

Një ditë më parë ai kishte bërë shaka se nëse Gere do të shpallej zyrtarisht dëshmitar, ai do të kërkonte një autograf për nënën e tij. Prova të tjera që do të përdoren kundër Salvinit përfshijnë të dhënat e komunikimit nga thirrjet e urgjencës nga anija e OJQ-ve dhe roja bregdetare italiane kur ata caktuan portin e Lampedusas si port zbarkimi, për të përcaktuar se në çfarë pike dhe në çfarë forme ndërhyri Salvini.

Salvini i ka mohuar vazhdimisht akuzat për rrëmbim, por ka pranuar se ka bllokuar anijen nga ankorimi në Itali, duke thënë se ishte detyra e tij si ministër i Brendshëm. Ai argumenton se për shkak se anija ”Open Arms” ishte me flamur spanjoll, migrantët duhej të ishin dërguar në Spanjë.

Rikujtojmë nga ana tjetër se Richard Gere, për të gjithë ata që nuk e dinë është i martuar me Alejandra Silva, e cila është 34 vjet më e re se artisti. 71-vjeçari, është padyshim një nga aktorët më të pëlqyer për rolet e tij të suksesshme në filma romantikë si “An Officer and a Gentleman” dhe “Pretty Woman”. Gere ka qenë i martuar dy herë para se të martohej me bukuroshen spanjolle, përkatësisht me Cindy Crawford nga viti 1991 deri në vitin 1995 dhe me Carrie Lovell nga viti 2002 deri në vitin 2016.