Aktualitet

Emigrimet në Gjermani për punësim, shqiptarët të 7-ët!

Deri vitin e kaluar, shtetasit nga Shqipëria ishin të 7-ët sa i përket numrit të atyre që kanë emigruar në Gjermani për punë dhe që nuk vijnë nga vende që janë pjesë e Bashkimit Europian. Siç raporton SchengenVisaInfo, listën e kryesojnë India me 33 mijë e 900 punëtorë, Bosnjë-Hercegovina me 26 mijë e 300 dhe Kosova. Në fund të vitit 2021, Gjermania regjistroi 19 mijë e 600 punonjës nga Kosova.

Krahas këtyre tre vendeve, Serbia renditet e katërta me 17 mijë e 400 punëtorë, Kina me 16 mijë e 700, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 16 mijë e 500, Shqipëria me 13 mijë e 800, Maqedonia e Veriut 13 mijë e 500, Turqia 10 mijë e 700 dhe Rusia me 9 mijë e 400.

Nga të gjithë punonjësit jashtë BE-së në Gjermani, në fund të vitit të kaluar u vu në dukje se 69 mijë e 900 janë të diplomuar e specialistë shumë të kualifikuar, të rekrutuar me karton blu që nga viti 2012, ndërsa 225 mijë e 500 të tjerë, pa kartonin blu.

Sipas Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë, “Destatis”, numri i punëtorëve që emigrojnë në Gjermani është trefishuar në dhjetë vitet e fundit. Në fund të vitit 2021, Regjistri Qendror i të Huajve të Gjermanisë regjistroi 295 mijë persona me leje qëndrimi të përkohshme, për qëllime punësimi.

“Destatis” zbulon se numri i punëtorëve jashtë BE-së, në fund të 2021-shit ishte 226 përqind më i lartë se në vitin 2011 kur në Gjermani kishte vetëm 90 mijë e 500 punëtorë nga jashtë Bashkimit Europian me leje qëndrimi.

Përveç numrit të lartë të punëtorëve nga vendet jo anëtare të BE-së, në Gjermani u rrit ndjeshëm edhe emigracioni nga shtetet e Bllokut. Sipas të dhënave, rreth 1.65 milion qytetarë punonin në shtetin gjerman deri në vitin 2021, kryesisht nga Polonia, Rumania, Italia e Kroacia.

Pavarësisht se ka një numër kaq të lartë, Gjermania ende duhet të plotësojë 1.7 milion vende të lira pune, ndaj po planifikon ta bëjë më të lehtë për emigrantët e aftë, që të punësohen.

Autoritetet gjermane po shqyrtojnë edhe zbatimin e rregullave më pak strikte pasi vendi duhet të plotësojë deficitin e punës. Aktualisht, Gjermania duhet të punësojë numrin më të madh të punëtorëve në sektorët e udhëtimeve ajrore dhe akomodimit.