Politikë

Ëndrra bëhet realitet, deputetët e Shqipërisë dhe Kosovës mblidhen në Tiranë në 110 vjetorin e pavarësisë

Ëndrra shekullore e shqiptareve për një bashkim të politikës në Shqipëri dhe Kosovë është bërë realitet të dielën e 27 dhjetorit. Për herë të parë deputetët e parlamentit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë u ulën te gjithë bashkë në sallën e kuvendit të Shqipërisë duke dërguar fuqishëm mesazhin e bashkimit jo thjesht në mënyrë simbolike.

Lindita Nikolla, kryetare e parlamentit të Shqipëri dhe homologu nga Kosova, Glauk Konjufca ishin të parët që folën në këtë seancë të përbashkët të dy parlamenteve.

Nikolla: Mënyra e të menduarit të shqiptarëve të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeopolitik dhe pozitën e shqiptarëve në këtë realitet gjeopolitik.

Konjufca: I vetmi shtet në mes të Evropës i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë, që nga diplomacia deri te financimi i grupeve kriminale. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë.

Emocionet e të ulurit bashkë në një sallë i përmblodhi më këtë fjali deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.

Lila: Uaaaa çfarë hapje sot në kuvendin e Shqipërisë, më e bukura në botë.

Dy kryeministrat, Kurti dhe Rama nuk e fshehën gëzimin që ia dolën të mbledhin dy parlamentet në një sallë.

Kurti: Shqiptarët të bëhen bashkë jo vetëm për festa, dhe jo vetëm në rang politikanësh. Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo e sotmja nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste, por edhe një ditë reflektimi.

Rama: Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por përsëri edhe sot unë nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. E le t’i kthehemi me syrin e mendjes jo vetëm pamjes së sotme të Kosovës krahasuar me jo shumë vite më parë. Unë nuk besoj se do të ishte e ndershme që të shtyheshin shumë dhe të thoshin: “po, ne e kishim imagjinuar që në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kosova do të ishte e lirë, do të ishte sovrane dhe pavarësia e saj do të ishte përfundimtare.

Sali Berisha me mbështetësit e bojkotoi fjalën e kryeministrit Rama duke nxjerrë në pah ndasitë e thella të politikës së brendshme shqiptare.

Berisha: Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiç. Për të justifikuar vasalitetin ndaj Vuçiçit, ai kërcënon me luftën e Vuçiçit. Në të gjithë këto qëndrime, ai rezulton të jetë një antishqiptar i rrezikshëm për kombin shqiptar.