Aktualitet

Energjia, Eurostat: Shqipëria me çmimet më të larta në rajon pas Malit të Zi!

Shqipëria rezulton me çmimet më të larta të energjisë në rajon pas Malit të Zi, sipas një botimi të fundit të EUROSTAT për ecurinë e çmimeve të energjisë dhe gazit në konsumatorët familjarë në gjysmën e parë të vitit 2021. Të dhënat nga databaza e EUROSTAT,  tregojnë se çmimi i energjisë elektrike për një kilovat/orë, duke përfshirë të gjitha taksat ishte 0,093 euro në 6-mujorin e parë 2021. Nivel më të lartë se Shqipëria kishte vetëm Mali i Zi, me 0,097 euro për kilovat/orë.

Qytetarët e Kosovës kanë çmimin më të lirë në rajon, me 0,060 euro për kilovat/orë. Në Bosnjë, qytetarët paguan 0,086 euro për kilovat/orë, në Serbi 0,081 euro për kilovat/orë.

Eurostat shpjegon se çmimet e energjisë kanë ndryshuar ndjeshëm në vitin 2022, por në shumë vende të Europës, çmimi për konsumatorët familjarë ka pësuar rënie për shkak të politikave subvencionuese që kanë aplikuar qeveritë.

Çmimet e energjisë për familjet gjatë vitit 2022 u rritën në 22 shtete anëtare të BE-së në gjysmën e parë të 2022, krahasuar me gjysmën e parë të 2021. Rritja më e madhe (e shprehur në monedhat kombëtare) u regjistrua në Çeki (+62% ), përpara Letonisë (+59%) dhe Danimarkës (+57%). Të dhënat tregojnë ulje të çmimeve të energjisë elektrike për familjet mes shteteve anëtare: Holanda (-54%), Sllovenia (-16%), Polonia (-3%), Portugalia dhe Hungaria (të dyja -1%). Uljet në Holandë, Slloveni dhe Poloni ishin të lidhura me subvencionet dhe shtesat e qeverisë, ndërsa në Hungari, çmimet janë të rregulluara.

Në rajonin e Ballkanit, përgjithësisht, çmimet nuk kanë ndryshuar në vitin 2022. Shprehur në euro, çmimet mesatare të energjisë elektrike në gjysmën e parë të vitit 2022 ishin më të ulëtat në Holandë (5,9 € për 100 kWh), Hungari (9,5 €) dhe Bullgari (10,9 €) dhe më të lartat në Danimarkë (45,6 €), Belgjikë ( € 33,8), Gjermani (32,8 €) dhe Itali (31,2 €).

Në Shqipëri, çmimet e energjisë për konsumatorët familjarë mund të rriten më tej këtë vit nëse qeveria aplikon tarifimin mbi dy fasha, ku konsumi mbi 800 kilovat në muaj do të tarifohet me 4-5 fishim nga niveli aktual. Maxhoranca bëri të ditur se fasha e re nuk aplikohet as në nëntor.