Aktualitet

Energjia, OSHEE me humbje, por vit i artë për treguesit e prodhuesit privatë!

Situata e pafavorshme hidrike ka ndikuar negativisht në ecurinë e kompanisë energjetike në vend, në hallkat e shpërndarjes përmes “OSHEE Group”, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë së importit në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, barra e të cilit u mbajt nga OSHEE. Rritja e prodhimit në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e situatës së mirë hidrike dha efekt pozitiv në kompaninë prodhuese, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) raportoi fitime.

Viti 2022 po rezulton me një situatë shumë më të rënduar energjetike, si për shkak të thatësirës, ashtu dhe çmimeve të larta të energjisë së importit, që kanë rënduar ecurinë financiare të OSHEE-së dhe KESH-it, teksa nga janari i vitit 2022, korporata u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme nga Furnizuesi i Shërbimit Universal për klientët universalë.

“OSHEE Group”, me humbje gati 110 milion euro

Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), nën ombrellën e “OSHEE Group Sh.A.”

“OSHEE Group” kishte qarkullimin vjetor të të tre kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive prej 64.2 miliardë lekësh në vitin 2021, duke u renditur në sipërmarrjen më të madhe në vend, sipas të ardhurave, me rritje rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Grupi nuk rezulton në listën tjetër, atë të fitimeve.

Për shkak të situatës së vështirë energjetike në pjesën e dytë të vitit 2021, grupi ka deklaruar humbje të lartë prej 13 miliardë lekësh (110 milion euro), nga 2.5 miliardë lekë në 2020-n, sipas të dhënave nga raporti i buxhetit të shtetit për vitin 2021, që raporton të dhënat e konsoliduara. Adrian Çela, administrator i OSHEE Group Sh.A:

Sa i takon bilancit, rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021 ndikoi negativisht te financat e OSHEE Group Sh.A, duke kaluar nga një fitim neto prej rreth 2.5 miliardë lekësh në 6-mujorin e parë, në një humbje neto prej rreth 13.2 miliardë lekësh në fund të vitit.

Rritja e jashtëzakonshme e çmimit të blerjes së energjisë në 6-mujorin e dytë bëri që shpenzimet për importet në vitin 2021 të ishin 20.3 miliardë lekë më të larta se ato të vitit 2020, si rezultat i të cilave, performanca financiare shënoi humbje prej rreth 13.2 miliardë lekësh.

Nga ana tjetër, Çela shpjegon se shpenzimet e larta për blerjen e energjisë elektrike u amortizuan nga të tjerë tregues, që lidhen me aktivitetin e shoqërisë, në raport me 2020-n dhe që ishin:

Ulja e nivelit të humbjeve

Rritja e të ardhurave me rreth 7%, ose rreth 4.3 miliardë lekë, për shkak të rritjes së konsumit të energjisë, si rrjedhojë e rritjes ekonomike të vendit

Ulja e shpenzimeve operative prej rreth 3.7 miliardë lekësh

KESH u rikthehet fitimeve, por…

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) u është rikthyer fitimeve të larta në vitin 2021, që arritën në 7.9 miliardë lekë para taksave dhe 6 miliardë lekë pas taksave. KESH u rendit dhe në listën e 10 më të mëdhave, sipas qarkullimit vjetor, pasi ka realizuar qarkullim vjetor prej 18.5 miliardë lekësh, me rritje 66% me bazë vjetore.

Ergys Verdho, administrator i KESH sh.a., pohon se viti 2021 paraqitet me prodhim prej 5.345 GWh, i cili konsiderohet mbi atë mesatar të 5 viteve të fundit prej 3,985 GWh, ose pothuajse i barabartë me prodhimin e vitit 2018.

Ky vit paraqitet pozitiv sa u përket të ardhurave të shoqërisë, ku vetëm nga eksporti/shitja e energjisë në tregun e rregulluar/parregulluar arriti vlerën e 18.9 mld lekë, dhe ku rezultati financiar neto në periudhën në fjalë rezultoi në vlerën e 7.21 mld lekë.

Megjithatë, për vitin 2021, shoqëria KESH, në sistemin elektroenergjetik shqiptar luante vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU, për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar në periudhën e 3-mujorit të fundit të vitit 2021, ku çmimet e energjisë në tregje arritën në 6-7-fish e mesatares shumëvjeçare.

Për kohën, kjo situatë tregjesh ekspozoi shoqërinë OSHEE, e cila ishte e ngarkuar me detyrimin për shërbim publik për blerjen e energjisë elektrike të nevojshme për klientët universalë, ndërsa shoqëria KESH, në rolin e prodhuesit, nuk pati efekte financiare.
Efektet financiare për shoqërinë KESH filluan në janar të vitit 2022, kur KESH sh.a. u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme nga FSH për klientët universalë.

Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet KESH mbeten çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Ecuria e treguesve të prodhimit, importit/blerjes dhe situata financiare nuk rezultoi optimiste në 6-mujorin e parë të vitit 2022.

Në aspektin financiar, kostot për blerjen/importin e 752,306 MWh arritën vlerën e 173,1 milion eurove ose 20.6 miliardë lekë dhe me një çmim mesatar të ponderuar prej 230 Eur/MWh”.

OST rrit fitimet

Operatori shtetëror OST sh.a. menaxhon sistemin elektroenergjetik në kohë reale, duke ruajtur një balancë midis kërkesës për konsum dhe prodhimit të energjisë elektrike, që të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike, nëpërmjet praktikave bashkëkohore të operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Të ardhurat e kompanisë ishin 8.9 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje vjetore 27%. Kompania raportoi fitime prej 922 milion lekësh para taksave, me rritje 34% me bazë vjetore dhe normë fitimi prej 10.2%.

Administratori i OST-së, Skerdi Drenova, pohon se “të ardhurat totale për vitin 2021 kanë rezultuar 9,383 milion lekë, nga 7,050 milion lekë që ishin parashikuar në programin e zhvillimit të vitit 2021. Realizimi i tyre është në masën 133%”.

Rreth 55% të të ardhurave operative i zënë ato nga transmetimi i energjisë elektrike tek OSHEE sh.a. Shpenzimet totale për vitin 2021 kanë rezultuar 8,430 milion lekë. Efektet që kanë ndikuar në rritje të shpenzimeve kanë qenë kryesisht rritja e çmimeve të energjisë në tregun rajonal. Eshtë vënë re rritje në kostot e transmetimit, kryesisht në shpenzimet për shërbimet ndihmëse që vijnë si rezultat i hyrjes në fuqi në prill 2021 të rregullave të tregut. Në to përcaktohet sigurimi i këtij shërbimi me çmimet e tregut, si dhe shpenzimet për humbjen e energjisë, ku kryesisht ka ndikuar rritja e madhe e çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar, për shkak të krizës energjetike. Viti 2021 ka rezultuar me fitim në vlerën 691.7 milion lekë.

Dhe fitimet shkojnë… 7-fishohen për tregtuesit e energjisë

Tregtimi i energjisë është një segment që po josh bizneset, për shkak të nivelit të ulët të investimit fillestar dhe qarkullimit të shpejtë të parasë. Rritja e tij u nxit edhe nga nevoja për më shumë importe në gjysmën e dytë të vitit 2021, për shkak të situatës së vështirë hidrike. Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime (përveç garancisë bankare), po nxit hyrje të reja. Historikisht, vendi importon midis 20 dhe 50% të nevojave të energjisë bruto në vit, në varësi të situatës hidrike./Monitor