Aktualitet

Energjia për eolikët dhe fotovoltaikët, ERE nis procedurat për miratimin e çmimit!

Nxitja e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme parashikon ndër të tjera edhe ofrimin e një çmimi të leverdishëm, i cili garanton kthim të arsyeshëm investimi. Ditën e sotme, Enti Rregullator i Energjisë, ERE miratoi nisjen e procedurës për përcaktimin e çmimit për fotovoltaikët me kapacitet të instaluar deri në 2MW dhe eolikët deri në 3MW.

Gjatë seancës së Bordit, përfaqësues të Entit Rregullator thanë se tashmë pjesa e burimeve të rinovueshme të energjisë mbulohet nga një ligj i ri i miratuar në vitin 2023, por që për të, ende duhet që të miratohen aktet nënligjore, në mënyrë që të bëhet i zbatueshëm.

Në këtë mënyrë, metodologjia që do të vijojë të zbatohet për përcaktimin e çmimit në këtë fazë do të jetë ajo e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2017, si dhe sipas kuadrit ligjor të të njëjtit vit. Metodologjia mban në vetvete një përllogaritje të çmimeve mesatare për të nxjerrë një çmim të arsyeshëm për investimin që subjektet kryejnë.

Në fazat fillestare, kjo përllogaritje çmimi ishte sipas çmimeve të siguruara nga Enti dhe referencat ndërkohë që tashmë për llogaritjen e çmimit shërbejnë shifrat reale që ofrohen nga subjektet në investime konkrete.

Për këtë përllogaritje, referencë merren subjektet që kanë siguruar miratimin paraprak për investimin që do të kryejnë. Në këtë kontekst, Enti Rregullator hapi procedurën për miratimin e çmimit për fotovoltaikët dhe eolikët sipas të dhënave, të cilat janë siguruar nga tregu, duke miratuar një çmim sa më real.

Aktualisht, çmimi i miratuar për energjinë që blihet nga shteti nga burimet fotovoltaike me kapacitet deri në 2MW është 71.2 euro/MWH, ndërsa ai nga eolikët 75.64 euro/MWH. Këto çmime kanë ardhur në rënie, në raport me çmimet e miratuara në fillim nga Enti Rregullator i Energjisë, ERE e kur respektivisht ishin në vlerat 100 euro/MWh dhe po ashtu 76 euro/MWh.