Rajoni

Epopeja e UÇK-së, Kurti: Askush i gjykuar për krimet në familjen Jashari

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës, kryen sot homazhe në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Manifestimi ‘Epopeja e UÇK-së’, që filloi dje dhe zgjat tri ditë zhvillohet në përkujtim të komandantit legjendar Adem Jashari.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, deklaroi nga Skënderaj se sakrifica e familjes Jashari solli lirinë e Kosovës. Homazhe pranë varreve të familjes Jashari, bëri edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ndërkaq, Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti deklaroi nga Prekazi se për krimet në familjen Jashari ende nuk është gjykuar askush.

Nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Duhet të angazhohemi si institucione, që kjo të ndryshojë për hir të Republikës se Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharajve dhe për hir të se ardhmes se popullit dhe kombit tonë në përgjithësi.

Njëzet e tre vjet më parë, në Prekaz të Skenderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe u vranë 53 anëtarë të familjes Jashari.