Rajoni

Epopeja e UÇK-së, seancë solemne në Kosovë/Vlerësohet sakrifica e familjes Jashari!

Në seancën solemne për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që nisi me një minutë heshtje për të rënët për lirinë e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se “është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë”.

Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë në përsëritjen e saj. Prandaj, ne duhet dhe do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së, të cilën ata e bënë për vendin.

Ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri.

Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandant Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit të vajzave dhe djemve të UÇK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz, në një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, fituan përjetësinë.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skënderajt forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të saj.

U jemi mirënjohës përjetësisht të gjithë burrave dhe grave të UÇK-së të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë, përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt, jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.

Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baca Shaban e deri tek Blerimi i vogël e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes. Bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UÇK-ja u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:

Rezistenca e familjes Jashari në Prekaz, nuk është edhe një degë më shumë në pemën të historisë moderne të Kosovës, por është vetë trungu i kësaj peme. Në historinë e UÇK-së dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare e të tilla do të mbeten përjetë.

Pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi:

Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të ‘98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku:

Qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familjar, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja juaj sot si familje, me breza të rinj e pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mban në rrugën përpara.