Aktualitet

Era e fortë pengon tragetin të ankorohet në portin e Vlorës, prej 20 orësh 77 pasagjerë të bllokuar

Moti i keq ka sjell problematika në qytetin bregdetar të Vlorës. Një traget me pasagjerë nuk po ankorohet dot në port për shkak të motit të keq.

Era e fortë por edhe dallgët e shumta të krijuara në det ka bërë që trageti të dalë në radë. Burime bëjnë me dije se në bord ndodhen 77 pasagjerë.

Trageti është nisur në orët e para të mëngjesit nga Brindisi, ndërsa tani ka dalë në radë pasi era e forte dhe dallgët nuk e lejojnë të ankorohet

Për shkak të motit të keq që ishte parashikuar, Kapitaneria Vlorë njoftoi një ditë më parë së është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla, por edhe anijeve të peshkimit deri në mëngjesin e 23 prillit.

Parashikimi i motit për 24 orë sipas MeteoAlb:

Shqipëria paraqitet nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm ku vranësirat do të jenë dominante gjatë paradites por herë pas here do të ketë intervale me kthjellime. Ndërsa, pasditja do të sjellë shtim të vranësirave duke rrezikuar shira në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar zonat Juglindore ku nuk priten reshje. Megjithatë shirat do të jenë në sasi të pakta. Gjatë natës parashikohet përmirësim i përkohshëm i motit duke larguar reshjet nga i gjithë vendi.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por kostante mbeten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 5°C deri në 23°C.

Era do të fryjë e fortë në tokë dhe në det me shpejtësi 65 km/h kryesisht nga drejtimi jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 6 ballë.